Ndërlidhjet

SHBA e do Britaninë brenda BE-së


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Shtetet e Bashkuara kanë interes të thellë te një Britani e fuqishme, brenda një Bashkimi të fuqishëm Evropian, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Duke folur në Gjermani, ai ka thënë se shumë evropianë ndjehen të lodhur nga sfidat e fundit, porse SHBA-ja është e bindur se Evropa “do të përfundojë edhe më e fortë”.

Komentet e Kerryt vijnë pëpara një samiti të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, ku kryeministri britanik, David Cameron, pret që të sigurojë një marrëveshje për reformimin e BE-së.

Ditë më parë, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka paraqitur disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Evropian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punëtorët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për këto propozime në një samit të BE-së në Bruksel, më 18 dhe 19 shkurt.

Publiku britanik, sipas të gjitha gjasave, do të votojë në muajin qershor, nëse Britania e Madhe duhet të qëndrojë ose të largohet nga BE-ja.

XS
SM
MD
LG