Fundi i një rruge migrimi

Migrim dhe mosbesim në një qytezë finlandeze

Fillo
Ky është Kemi.
Sikurse shumë qytete në veri të Finlandës, Kemi asnjëherë nuk është rimëkëmbur plotësisht nga kriza financiare e vitit 2008.
Por, pavarësisht shifrës së papunësisë prej 20% dhe tkurrjes së popullsisë, qyteti gjithmonë ka qenë shumë paqësor dhe …një vend tipik finlandez.
Çdo dimër, udhëtarë nga e gjithë bota vizitojnë kështjellën e famshme nga bora të Kemit, dhe ndoshta bëjnë ecje nëpër pyll, për të parë shkurt dritat e veriut.
Askush nuk fliste aq shumë për Kemin
…deri vitin e kaluar.
Në vitin 2015, Kemi i vogël u gjend në një krizë që po e kërcënonte këtë pjesë të Evropës.
Kriza me refugjatë.
RFE/RL file photo
Pse Kemi?
RFE/RL file photo
Finlanda ka një prej skemave më bujare të përfitimeve për refugjatë në Evropë. Në shtator 2015, kryeministri milioner i Finlandës, Juha Sipila, ofroi shtëpinë e tij të pushimeve ( në foto) për një familje migrantësh.
Reuters
Lajmërimi u përhap nëpër rrjetet sociale në Lindjen e Mesme. Mesazhi ishte i qartë: Në Finlandë, refugjatët janë të mirëseardhur. Deri në fund të vitit 2015, 32,000 migrantë hynë në Finlandë, krahasuar me 3,600 në vitin 2014.
Reuters
I vendosur vetëm disa kilometra larg kufirit me Suedinë, Kemi është shndërruar në ndalesën e parë për migrantët. Disa prej tyre lëvizin tutje, por, për shumë prej tyre, Kemi është fundi i rrugëtimit të tyre të gjatë e të rrezikshëm.
Reuters
Në rrugët e ngrira të Kemit, shenjat e fluksit të madh të njerëzve janë të thjeshta për t’u parë.
Këta janë refugjatët somalezë, Mohammed Ali Elmi (në të majtë) dhe Saadiq mus Muhammed. Që të dy thonë se e duan Finlandën, pavarësisht dimrave të ashpër. “Moti nuk ka rëndësi”, thotë Saadiq, 23 vjeçar. “Unë kam parë njerëz që kanë vdekur rrugës, duke ardhur këtu. Nuk më intereson se sa ftoftë është këtu, jam shumë i lumtur që jam ende gjallë.”
Të dy shokët, që u takuan në Kemi, ishin duke shkuar në kursin e gjuhës finlandeze. “Gjuha është dryni: sapo ta hapim atë, hapet edhe dera për në Finlandë, për ne.”
Në qendër të Kemit, Kryqi i Kuq ofron mësime kulturore dhe gjuhësore për migrantët. Një prej tyre foli për Radion Evropa e Lirë, lidhur me jetesën, për herë të parë, në një vend të Krishterë.
“Unë dikur besoja se njerëzit e Krishterë e urrejnë Islamin, se ata duan të na vrasin dhe të ndërhyjnë në politikat tona të brendshme. Se ata duan ta ndalin zhvillimin e vendeve tona. Pastaj erdha në Finlandë dhe e pashë që njerëzit e krishterë janë njësoj si unë. Ata brengosen për mua dhe më japin gjithçka. Miku im ishte në spital këtu, dhe kur e pashë mënyrën se si kujdeseshin infermieret për të, pothuajse shpërtheva në lot…Gjithçka që mendoja se dija për vendet e krishtera, e kam fshirë nga mendja ime.”
Por, një grup burrash nga ky qytet e kanë bërë të qartë se jo gjithkush është i gëzuar me ndryshimet në vendin e tyre.
Në vjeshtën e vitin 2015, në pikën kulmore të fluksit të refugjatëve, pesë burra nga Kemi, përderisa pinin birra, filluan diskutimet për formimin e një grupi vigjilent, i cili, që nga ajo kohë ka tërhequr rreth 500 anëtarë përgjatë Finlandës. Njëri prej atyre pesë burrave, që ne po e quajmë Kim, i ka treguar Radios Evropa e Lirë arsyet që çuan në krijimin e grupit “Ushtarët e Odinit”, një grup anti-migrantëve, i njohur për “patrullimet” që bëjnë nëpër rrugë. “Çdo ditë vinin nga 500 njerëz në Kemi. Kur Kryqi i Kuq u dha atyre batanije dhe ujë; ata filluan të gjuanin mbeturina nëpër rrugë. Ata ishin shumë jo falënderues.” Grupi tani ka degë nëpër gjithë Finlandën, duke e shtuar debatin kombëtar lidhur me emigracionin.
Supplied Photo
Kemi, nga ana tjetër, ndihet i ndarë. Shumë prej banorëve shprehin, në mënyrë të heshtur, përkrahjen e tyre për grupin, dhe brengosen se çfarë do të ndodhë me kulturën finlandeze, por, nga ana tjetër, ka edhe shumë që e kundërshtojnë këtë grup.
Alborz Alif, i lindur në Afganistan, jeton në Finlandë që 17 vjet dhe tani punon në një piceri në Kemi. Ai thotë se “Ushtarët e Odinit” hanë shpesh në atë restorant. “Ata gjithmonë kanë qenë miqësor me mua, por me kolegun tim afgan, i cili nuk e flet aq mirë finlandishten, ata tallen…I kam parë që vijnë këtu të dehur…Nëse këta janë djemtë që e mbrojnë qytetin tonë, atëherë ndoshta nuk kemi fare nevojë për mbrojtje.”
Sanna Kreivi dhe i dashuri i saj, Sami Tiirikainen, shihen përderisa mbyllen dyert e një klubi të natës. Sanna thotë: “ Më pikëllon fakti që këta djem [Ushtarët e Odinit] janë formuar si grup këtu – ne jemi në një fshat, që po pretendon të bëhet qytet. Askush nuk brengosej për Kemin, e tani, papritur të gjithë po flasin për ne, për faktin që kemi Nazistë nëpër rrugë.”
Por, sikurse të gjithë vendasit që folën për Radion Evropa e Lirë, Sanna nuk sheh arsye pse duhet lejuar migrimi masiv. “Kufijtë duhet të mbyllen. Nëse njerëzit vërtetë kanë nevojë për ndihmë, ne duhet t’i ndihmojmë ata. Por, gjysma e këtyre njerëzve nuk janë nga vendet që thonë se vijnë…Kemi është vetëm një fshat; një fshat që po pretendon të bëhet qytet. Ne nuk mund t’i ndihmojmë të gjithë.”
Në dalje të klubit të natës, “Ahmad” nga Afganistani është një prej disa migrantëve që i kalojnë mbrëmjet e të shtunave duke mbledhur shishe dhe kanoçe, të hedhura nga finlandezët qejflinj. Migrantët nuk shihen aq shumë në qendër të qytetit, kur bie terri. Shumica prej tyre qëndrojnë në shtëpi, kryesisht për t’i shmangur patrullat e natës së “Ushtarëve të Odinit”.
Një migrant i ri nga Afganistani, me një grumbull kanoçesh. Nga mbledhja e shisheve mund të fitohen 10 cent [euro], ndërsa nga kanoçet, 15 cent, kur ato dërgohen në qendrën e grumbullimit, në qytet. Burrat thonë se mund t’i fitojnë nga 5-6 euro çdo natë dhe se e bëjnë këtë gjë për t’i plotësuar përfitimet “shumë të vogla” që u takojnë si aplikantë për refugjatë.
Kim e pranon se ka neo-nazistë brenda organizatës. Por, ai pretendon se ata janë “të jashtëm” dhe se brenga për sigurinë e finlandezëve është ajo që e lidhë grupin.
“Ne jemi këtu që të shërbejmë si sytë dhe veshët e policëve. Nëse mund ta ndalim një dhunim, një krim, atëherë e gjithë kjo ia ka vlejtur.”
Supplied Photo
Çështja e sulmeve seksuale nga migrantët është një temë shumë e diskutuar në Finlandë. Në vitin 2015, 25 kërkues të azilit dyshoheshin për dhunim. I njëjti raport pretendon se krimet seksuale, që përfshinin të huajt, janë rritur “dukshëm” që nga viti 2014.
Supplied Photo
Një xhami e përkohshme [e improvizuar] në një bllok zyresh në Kemi. Kur e panë këtë fotografi, dy anëtarë të “Ushtarëve të Odinit” u shokuan. “Nuk më intereson nëse je i zi, i kafenjtë, apo i kaltër; por, nëse je në Finlandë dhe mundohesh ta ndryshosh mënyrën e jetesës së finlandezëve, atëherë ne do ta ndalim këtë gjë.”
Në xhaminë e përkohshme, fotografi ynë është marrë në pyetje lidhur me besimin e tij. Si një jo mysliman në “shtëpinë e Allahut”, një prej njerëzve aty insistonte që ai të largohej. Janë këso lloj tensionesh që disa finlandezë ua kanë frikën që mund të çojnë në përplasje kulturash. (Fotografi më vonë ishte lejuar të hynte në xhami, nga disa besimtarë më të rinj.)
Kisha Luteriane, në qendër të Kemit. Në pikën kulmore të fluksit në vjeshtë, kisha strehonte migrantë, që nuk kishin se ku të flinin.
Pastori Tapio Karjula, gjatë një predikimi brenda kështjellës së borës në Kemi, thotë se pozita e kishës do të jetë e tillë që do të mirëpresë gjithmonë refugjatë. Kjo politikë ka shkaktuar një valë të largimeve nga radhët e Luterianëve. Një ish- anëtar i kishës kishte shkruar online: “Kisha nuk po i mbron më vlerat e të krishterëve, ata po përkrahin hyrjen e islamikëve në Finlandë. Turp për ju, budallenj.”
Pavarësisht faktit se dimri i ashpër e ka zvogëluar numrin e arritjeve të migrantëve, posa të del pranvera, Kryqi i Kuq parasheh “lëvizjen” e migrantëve sërish. Por, janë disa shenja që tregojnë se përgjigja e Finlandës ndaj ardhjeve të reja është duke u ashpërsuar. Në shkurt të vitit 2016, kryeministri finlandez e tërhoqi ofertën për ta lëshuar shtëpinë e tij të pushimeve për migrantët, duke e arsyetuar këtë veprim me shqetësimet që lidhen me “çështje sigurie”.

Ndajeni këtë artikull

Na ndiqni

Autori:

  • Fotot, Amos Chapple
  • Dizajni, Wojtek Grojec