Ndërlidhjet

Ulen tensionet në Shkup, tërhiqet vendimi për kryqin


Pamje nga protestat kundër ngritjes së kryqit në Butel, 3 mars.
Pamje nga protestat kundër ngritjes së kryqit në Butel, 3 mars.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar arritjen e marrëveshjes për tërheqjen e vendimit për ngritjen e kryqit në Butel të Shkupit.

Me këtë janë larguar edhe barrikadat dhe tendat e vendosura dy ditë më parë nga zyrtarët e partisë së Ali Ahmetit për të penguar punimet për ngritjen e kryqit të lartë 56 metra.

Marrëveshja e arritur ka evituar një përplasje mes dy grupeve, atij të udhëhequr nga BDI-ja që kundërshtonte ngritjen e kryqit dhe një grupi tjetër të maqedonasve që doli në mbrojtje të tij, por konfrontimi u parandalua nga forcat e shumta të policisë speciale, të cilat deri në mesnatën e së premtes kanë qëndruar mes deri grupeve deri në shpërndarjen e tyre të plotë.

Marrëveshja, siç bëri të ditur nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, është arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, por edhe në komunikim me institucionet ku bën pjesë edhe BDI-ja si pjesë e Qeverisë.

“Në komunikim me faktorin ndërkombëtar si dhe me institucionet jemi marrë vesh që të jetë një zgjidhje në frymën e marrëveshjes së Ohrit dhe duke respektuar parimin e Badenterit, apo votimin e dyfishtë pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti shërbejmë marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare”, deklaroi Mexhiti.

Ai tha se vendimi për largimin e tendave është marrë për të mos nxitur tensione të mëtejme, pasi të shtunën besimtarët ortodoks shënojnë një festë fetare dhe shumica e tyre duhej të kalonin pikërisht pranë vendit ku ata po protestonin.

Nga ana tjetër, nga komuna e Butelit, por edhe zyrtarë tjerë të partisë VMRO-DPMNE, të ish -kryeministrit Nikolla Gruevski kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga ndërtimi i kryqit, por pa treguar format se i do të realizojnë këtë projekt që ka nxitur reagime të shumta.

Partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhëniet ndëretnike, tensionet e ngritura nga dy partitë në pushtet i kanë quajtur lojë për pikë politike dhe zhvendosjen e vëmendjen nga zhvillimet tjera në vend, në veçanti nga hetimi i nisur nga prokuroria speciale ndaj zyrtarëve të dy partive të dyshuar për veprime të ndryshme kriminale.

“Mendoj se është një manifestim i një dyfytyrësie të një partie politike shqiptare që është në pushtet. është një absurd i llojit të vet pasi nuk është regjistruar në asnjë demokraci botërore që një parti që është pjesë e pushtetit të protestoj kundër vendimeve të po atij pushteti”.

“E gjithë kjo ka efekte përcjellëse që janë menduar mirë nga partnerët e koalicionit. Një efekt i tillë është shpërqendrimi i vëmendjes së opinionit nga hetimi do të thosha edhe historik i korrupsionit në Maqedoni pasi nuk ka ndodhur deri më tani të ketë një hetim të paanshëm dhe profesional sikur ky që po zhvillohet nga prokuroria speciale“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Mirjana Najçevska, thotë se vendimet për vendosjen e simboleve ishin të paligjshme ndërsa veprimin e partive në pushtet e quan gjithashtu të palogjikshëm, pasi dy partitë, sipas saj, problemet duhet t'i zgjidhin në institucione dhe jo të dalin në rrugë.

“Nëse nisemi nga fakti se BDI dhe VMRO DPMNE janë pjesë e qeverisë atëherë kjo nënkupton se çdo problem duhet a shqyrtojnë në kuadër të institucioneve. Si mund të flasim për koalicion qeveritar, si mund të flasim për institucione kur pikërisht drejtuesit e tyre dalin në rrugë për të matur forcat. Vlerësoj se dy partitë me vetëdije shumë të lartë nxisin tensione ndëretnike dhe ndërfetare me qëllimin e vetëm ikjen nga përgjegjësia për veprat e bëra kriminale“, thotë Najçevka.

Ajo vlerëson se asnjë vendim nuk mund të merret jashtë normave të përcaktuara me ligj. Sipas saj , asnjë simbol nuk mund të vendoset pa respektimin e mendimit të opinionit, pa respektimin e ligjit, pa respektimin e parimit të Badenterit, që është normë e paraparë me marrëveshjen e Ohrit.

Tensionet për vendosjen e kryqit pasuan një vendim të mëparshëm të BDI-së për vendosjen e një simboli me shqiponjën, në komunën e Çairit, të banuar kryesisht me shqiptarë.

XS
SM
MD
LG