Ndërlidhjet

HRW: Kritika ndaj SHBA-ve lidhur me sulmin kundër spitalit


Organizata, Human Rights Watch, e ka kritikuar dënimin në Shtetet e Bashkuara të oficerëve të involvuar në sulmin vdekjeprurës me bombë në një spital në Afganistan, vitin e kaluar.

Ushtria amerikane u ka shqiptuar masa disiplinore 10 ushtarëve për gabimet që çuan në sulmin ajror kundër spitalit të organizatës, Mjekët pa Kufij, në provincën veriore Kunduz, me ç’rast janë vrarë 42 vetë.

Por në dënime nuk përfshihen akuza penale.

Në deklaratën e sotme të organizatës, Human Rights Watch, me seli në Nju Jork, theksohet se dështimi për hetime penale të oficerëve është “padrejtësi dhe ofendim” ndaj viktimave.

“Dështimi që ndaj zyrtarëve të lartë, që janë përgjegjës për sulm, të zhvillohen hetime penale nuk është vetëm fyerje për jetët e humbura në spitalin e Mjekëve pa Kufij, por goditje kundër sundimit të ligjit në Afganistan dhe çdokund tjetër”, theksohet në deklaratën e organizatës, Human Rights Watch.

Masat disiplinore u ndërmorën pas hetimeve ushtarake të bombardimit shkatërrues më 3 tetor të vitit 2015, me ç’rast u vranë shumë mjekë dhe pacientë dhe në masë të madhe u shkatërrua spitali në Kunduz.

XS
SM
MD
LG