Ndërlidhjet

Dënohet sulmi ndaj objektit të gjykatës në Lipjan


Ilustrim
Ilustrim

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm me koktej molotovi mbi degën e Gjykatës Themelore në Lipjan.

Ahmeti ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se veprimet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë.

"Të gjithë bashkë, duhet të provojmë dhe të krijojmë një klimë më tolerante dhe një atmosferë më të mirë të punës dhe angazhimit të të gjithëve. Kujtoj se kjo klima e fundit e ndezjes së automjeteve dhe incidenteve të tilla, nuk është në favor të askujt", ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka thënë se ka vizituar degën e Gjykatës Themelore, dhe ka parë se është dëmtuar një zyre e gjykatës dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë, rreth mesnatës, policia ka pranuar një informacion se me koktej molotovi është sulmuar objekti i Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe ndaj veturave zyrtare, shtrojnë nevojën urgjente që të zbardhen sa më shpejt, vlerësojnë ekspertë të fushës së sigurisë në vend.

Këso lloj zhvillimesh të dhunshme, sipas tyre, krijojnë frikë dhe pasiguri te qytetarët e Kosovës.

Policia e Kosovës, ndërkohë, ka konfirmuar se me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla kriminale, ka ndërmarrë masa shtesë me shtimin e pranisë policore të uniformuar dhe të atyre në rroba civile.

XS
SM
MD
LG