Ndërlidhjet

Lirohen tre të arrestuarit kosovarë në Gjermani


Ilustrim
Ilustrim

Transmetuesi publik bavarez në Gjermani njofton se janë liruar tre kosovarët e arrestuar të martën pranë kufirit me Austrinë.

Komisioneri i Policisë, Wilhelm Schmidbauer tha sot se deri më tani nuk ka dëshmi se personat e arrestuar kanë lidhje me terrorizëm.

Si rrjedhojë, ai tha se hetuesit e qytetit të Munich-ut i kanë liruar këta persona.

Transmetuesi bavarez njofton se gjatë intervistave të dhëna, kosovarët kishin thënë se ata ishin duke e përdorur veturën e një kompanie ndërtimi nga Belgjika, ndërsa 30 mijë eurot, që kishin me vete në kohën e arrestimit, ishin të destinuara për blerjen e një shtëpie, gjë që është konfirmuar edhe nga klineti në Belgjikë, i cili e ka dhënë konfirmimin para autoriteteve.

Më herët gjatë ditës autoritetet gjermane njoftuan se sulmet e Brukselit nuk kanë lidhje me Gjermaninë.

“Nuk ka dëshmi se sulmet në Bruksel kanë pasur lidhje me Gjermaninë”, ka thënë sot zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane, duke shtuar se hetimet po vazhdojnë.

“Unë mund të them se nuk ka asnjë lidhje gjermane”, ka thënë Johannes Dimroth, gjatë një konference për medie. “Por ende nuk mund të përjashtojmë mundësinë e ndonjë lidhjeje plotësisht, marrë parasysh dinamikën e ngjarjeve në Belgjikë”, ka thënë ai.

Për tre personat nga Kosova, të arrestuar pranë kufirit me Austrinë, edhe Policia e Kosovës tha sot se nuk ka asnjë informacion që i implikon ata me sulmet në Bruksel.

Fatos Makolli, drejtor i Departamentit Anti-Terrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se personat e ndaluar nuk kanë qenë të njohur më parë në Kosovë për ndonjë aktivitet të dyshuar apo ndonjë lidhje me grupet islamiste ekstremiste.

XS
SM
MD
LG