Ndërlidhjet

Pakistan: Përkushtim për zënien e autorëve të sulmit në Lahore


Zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit Asim Bajwa
Zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit Asim Bajwa

Autoritetet e Pakistanit kanë shprehur përkushtim të fuqishëm për t’i zënë autorët e sulmit të djeshëm vetëvrasës në Lahore, nga i cili u vranë së paku 72 vetë dhe qindra të tjerë u plagosën.

“Ne duhet t’i sjellim para drejtësisë vrasësit e vëllezërve, motrave dhe fëmijëve tanë të pafajshëm dhe kurrë nuk do të lejojmë këto egërsira jonjerëzore ta pushtojnë jetën dhe lirinë tonë”, tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Asim Bajwa, në rrjetin Twitter.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë një grup i ndarë taliban. Sulmi ka ndodhur dje në një park të qytetit, ku shumë njerëz ishin tubuar për t’i shënuar Pashkët.

Grupi militant, Jammaat-ul-Ahrar, tha se cak i sulmit ishin të krishterët, dhe ka paralajmëruar ndërmarrje të më tepër sulmeve kundër shkollave, kolegjeve dhe caqeve të tjera qeveritare dhe ushtarake.

Policia tha se numri i të vdekurve nga sulmi ka arritur në 72 vetë, përfshirë 29 fëmijë.

Zyrtari i lartë i policisë pakistaneze, Haider Ashraf, tha se shumica e të vrarëve ishin myslimanë.

Qeveria rajonale ka shpallur tri ditë zie.

XS
SM
MD
LG