Ndërlidhjet

Thaçi u betua si president i ri i Kosovës


Seanca solemne e betimit të presidentit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Seanca solemne e betimit të presidentit

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë të enjten betimin para Kuvendit të Kosovës, në një seancë solemne ku ishte e ftuar edhe presidentja e deritashme Atifete Jahjaga, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe ambasadorë të vendeve evropiane, si dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar. Seanca solemne është bojkotuar nga tri partitë opozitare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar me këtë rast, Hashim Thaçin, që të lexojë tekstin e betimit para Kuvendit, të cilin më pas edhe e ka nënshkruar.

Në këtë ceremoni, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti u betua se do të angazhohet me gjithë fuqinë e tij për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti u betua po ashtu se do të sigurojë liritë dhe të drejtat njerëzore e qytetare, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjen e paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Më pas, Thaçi ka mbajtur dhe një fjalim para Kuvendit. Ai ka thënë se kjo ditë, kur ai dha betimin si president, paraqet një moment të veçantë në jetën dhe karrierën e tij politike.

“Tani do të jem në detyre të re, për një Kosovë të re demokratike dhe shumë-etnike. Kam shpresë dhe besim tek qytetarët tanë, kam besim në institucionet e vendit. Si president, do të jem garantues i respektimit të kushtetutës dhe mbrojtjes së saj”, është shprehur Thaçi.

“Qëllimi dhe vizioni ynë është integrimi në BE dhe NATO dhe miqësia e përjetshme me SHBA-të”, ka thënë presidenti i ri i Kosovës, duke u zotuar se do të angazhohet për një shtet ligjor, që do ta luftojë krimin e korrupsionin.

“Ne do ta përmbyllim procesin e formalizmit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, shteti i Kosovës po afirmohet çdo ditë, Kosova sivjet për herë të parë do të marrë pjesë në lojërat olimpike dhe po punojmë që të anëtarësohemi në FIFA dhe UEFA”, ka theksuar ai.

Në vijim, Thaçi ka shprehur gatishmërinë e shtetit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Të kaluarën ne nuk mund ta ndryshojmë, por duhet të punojmë që të mos ta përsërisim. Dialogu nuk ka alternativë, por tani ai duhet të ketë një dinamikë të re, më vendimmarrëse”, ka deklaruar ai.

Njëherësh, Thaçi ka thënë se “Kosova do të jetë e pa kompromis kundër çdo elementi fundamentalist dhe ekstremist”.

Përderisa Thaçi po mbante fjalimin e tij, të parin pas betimit para Kuvendit, persona të panjohur kanë hedhur gurë në drejtim të sallës së Kuvendit, duke thyer një xham aty. Megjithatë, seanca ka vazhduar pa u ndërprerë.

Por, me dhënien e betimit nuk do të përmbyllet ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri të Kosovës.

Të premten, më 8 prill, në sheshin 'Skënderbeu', që gjendet pranë objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, do të organizohet një ceremoni festive solemne, në të cilën do të shënohet dorëzim - pranimi i detyrës nga presidentja Atifete Jahjaga te presidenti i ri Thaçi, ku presidenti i ri do të mbajë edhe fjalimin inaugurues.

Nga Kabineti i Thaçit është konfirmuar se në këtë ceremoni janë ftuar si pjesëmarrës, përfaqësues të Kosovës dhe mysafirë nga një numër i madh i vendeve të botës.

“Janë ftuar 1,000 personalitete nga Kosova, përfaqësues të institucioneve qeveritare, të institucioneve shtetërore, nga bota e akademisë, artit, kulturës, sportit. Janë ftuar mysafirë nga rajoni dhe nga e tërë bota, nga shtetet me të cilat kemi marrëdhënie bilaterale, por kemi edhe mysafirë nga shtetet të cilat, ndonëse ende nuk e kanë njohur Kosovën, e përkrahin atë", ka thënë Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi.

Zyra e presidentit të zgjedhur të Kosovës ka njoftuar se deri më tash 50 vende, delegacionet e të cilave janë ftuar në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Kosovës, tashmë e kanë konfirmuar ardhjen në këtë ceremoni.

Hashim Thaçi është zgjedhur në postin e presidentit nga Kuvendi i Kosovës në një seancë plot përplasje e tensione politike me partitë opozitare. Megjithatë, në të njëjtën seancë, të mbajtur më 26 shkurt, pas votimit të tretë, Thaçi siguroi 71 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Paraprakisht, ai ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm në Qeverinë e Kosovës.Por, nga momenti i zgjedhjes së tij President, ai ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet tjera publike.

Thaçi ka pasuar në postin e shefit të shtetit presidenten e deritashme, Atifete Jahjaga.

XS
SM
MD
LG