Ndërlidhjet

Obama konfirmon dërgimin e 250 trupave shtesë në Siri


Presidenti amerikan, Barack Obama, Hanover, 25 prill 2016
Presidenti amerikan, Barack Obama, Hanover, 25 prill 2016

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka njoftuar sot për dërgimin e 250 trupave amerikane në Siri, kryesisht forca të operacioneve speciale, për t’u dalë në ndihmë trupave lokale në luftën kundër Shtetit Islamik.

Këtë veprim Obama e quajti esencial për të lëvizur me shpejtësi në luftën kundër këtij grupi.

Dërgimi i këtyre trupave e çon numrin e personelit në rreth 300, pasi aktualisht veçse janë të vendosura rreth 50 trupa të forcave të operacioneve speciale në Siri.

"Akutalisht, kërcënimi më urgjent për vendet tona është grupi militant i Shtetit Islamik. Kjo është arsyeja pse ne jemi të bashkuar dhe të vendosur për ta shkatërruar atë, dhe të 28 aleatët e NATO-s po e japin kontributin e tyre në koalicionin tonë të përbashkët, duke sulmuar caqet e këtij grupi në Siri dhe në Irak”, ka thënë ndër të tjera Obama.

Presidenti amerikan, Barack Obama, gjithashtu ka bërë një lutje të zjarrtë për unitet evropian, gjatë vizitës së sotme në qytetin gjerman të Hanoverit. Duke folur në një panair të teknologjisë në Hanover, Obama tha se “një Evropë e bashkuar dhe e fortë i duhet botës.” Obama gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të japin kontributin e tyre të plotë në aleancën ushtarake.

Ai tha se do të insistojë në një samit të NATO-s, që pritet të mbahet në Varshavë në muajin korrik, që të gjitha vendet anëtare ta marrin përgjegjësinë për sigurinë.

Obama gjithashtu u bëri thirrje liderëve evropianë që t’i vazhdojnë sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të rolit të saj në luftën civile në Ukrainë, derisa Moska të veprojë në përputhje me obligimet që dalin nga marrëveshja e Minskut.

XS
SM
MD
LG