Ndërlidhjet

Turqia thotë se i ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret


Ilustrim
Ilustrim

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë sot se Turqia i ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret e kërkuara, në mënyrë që qytetarët e saj të udhëtojnë lirshëm pa viza.

“Ne jemi në prag të kompletimit të punëve teknike, përfshirë çështjen e pasaportave. Ne duam që e gjithë kjo të përfshihet në raportin e Komisionit Evropian. Ky është një proces i ngjashëm me hyrjen në Bashkimin Evropian, dhe nëse ka pengesa, ato do të tejkalohen nga vendosmëria e Turqisë, në të ardhmen e afërt. Prapë e them se pengesat janë të parëndësishme, pra nuk janë madhore”, ka thënë sot Cavusoglu.

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian ka propozuar sot që qytetarët turq të udhëtojnë pa viza brenda bllokut, posa Ankaraja t’i plotësojë kushtet e përcaktuara nga ky institucion.

Zëvendëspresidenti i Komisonit Evropian, Frans Timmermans, ka thënë se pret nga Turqia që t’i përmbushë pesë kushte deri në fund të qershorit, në mënyrë që qytetarët turq të udhëtojnë pa viza.

Masat kundër korrupsionit, ofrimi i bashkëpunimit juridik me të gjitha shtetet e BE-së, mbrojtja e të dhënave personale, dhe lufta kundër terrorizmit, janë kushtet që Komisioni Evropian kërkon nga Turqia t’i plotësojë, në mënyrë që ta fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se në javët e fundit Turqia ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe ka shënuar progres të madh, pavarësisht se kanë mbetur edhe shumë punë për të bërë.

Deri në fund të vitit, Timmerman ka thënë se Turqia duhet t’i ndërrojë pasaportat, dhe se asnjë qytetar nuk do të mund të hyjë në BE pa e pasur një pasaportë biometrike.

Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Turqia ta zbatojë në përpikëri marrëveshjen e nënshkruar me Bashkimin Evropian, për krizën me migrantë.

XS
SM
MD
LG