Ndërlidhjet

Nikolla Gruevski i vetëm në zgjedhje; partitë tjera bojkotojnë 5 qershorin


Ilustrim
Ilustrim

Në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni do të merr pjesë vetëm VMRO DPMNE-ja dhe dy parti minore të afërta me partinë e Nikolla Gruevskit.

Kjo parti ka qenë e vetmja e cila ka dorëzuar listat me kandidatët për deputet brenda afatit ligjor, që është mbyllur të mërkurën në mesnatë.

Partitë tjera kryesore, Lidhja Social-demokrate e opozitës, si dhe dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH, ashtu edhe siç kishin deklaruar më parë, nuk kanë paraqitur kandidaturat e tyre, me çka edhe kanë verifikuar qëndrimin e tyre për bojkotin e zgjedhjeve.

Shkas për një vendim të tillë është mospërmbushja e kushteve, si ai për anulimin e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve që po hetoheshin nga prokuroria speciale për vepra të rënda penale, pastrimi i listës zgjedhore dhe kushte tjera që kërkohen edhe nga bashkësia ndërkombëtare për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ndryshe, nga VMRO-ja kanë thënë se me vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet më 5 qershor, respektojnë kushtetutën e vendit.

“Organet kryesore të partisë kanë verifikuar listën e kandidatëve dhe pas përfundimit të të gjithë formaliteteve, në afatin e parashikuar ligjor, ato janë dorëzuar në KSHZ. Po ashtu, këto dy organe kanë vendosur që të përkrahin pjesëmarrjen e ekipit negociues të VMRO-DPMNE-së në procesin e gjetjes së zgjidhjes për dalje nga kriza, në të cilën e ka futur LSDM-ja Maqedoninë”, ka njoftuar VMRO DPMNE-ja.

Por, partitë opozitare kanë thënë se shkuarja në zgjedhje vetëm e VMRO DPMNE-së e ndërlikon edhe më shumë krizën politike në Maqedoni. LSDM-ja, në reagimin e saj, ka thënë se Gruevski me një vendim të tillë ka dëshmuar se është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm për të ruajtur vendimin e presidentit për falje, në listën e të cilit ndodhet edhe emri i tij.

“Kthim pas nuk ka. Pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reforma në media dhe pa anulimin e vendimit të presidentit për falje, zgjedhje më 5 qershor nuk do të ketë. Kriminelët do të përballem me drejtësinë ndërsa qytetarëve do t’u sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet në reagimin e LSMD-së.

Dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH, thonë se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje varet nga krijimi i kushteve dhe pjesëmarrja në to e të gjitha partive politike.

Për të ndihmuar gjejtjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza e thellë, të entjen në Shkup pritet të arrije i dërguari gjerman, diplomati Johannes Haindl.

XS
SM
MD
LG