Ndërlidhjet

Haindl: Të zbatohen reformat për zgjidhjen e krizës


I dërguari i posaçëm gjerman, Johannes Haindl, ka kërkuar zbatimin e reformave të nevojshme për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

“Zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë qartë se koha është e shkurtër dhe duhen përpjekje të përbashkëta nga të gjitha partitë për zbatimin e reformave të nevojshme dhe vendosmëri për vazhdimin e rrugës së nisur”, thuhet në deklaratën me shkrim të diplomatit Johannes Haindl.

Pas arritjes në Shkup, diplomati gjerman është pritur fillimisht nga shefi i diplomacisë, Nikolla Popovski ndërsa më pas ka takuar ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, kurse më pas do të ketë takime edhe me drejtuesit e VMRO DPMNE-së.

Lidhur me krizën e krijuar pas vendimit të partisë së Gruevskit që të shkojë e vetme në zgjedhje, ka reaguar edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Ai sërish ka përsëritur qëndrimin se zgjedhjet nuk mund të organizohen pa plotësimin e kushteve.

“Ka ende probleme me listën zgjedhore, lirinë e mediave dhe probleme serioze me vendimin e presidentit Ivanov për falje…mendoj se liderët politikë të vendit duhet të veprojnë shpejt dhe në mënyrë konstruktive”, ka deklaruar Orav.

XS
SM
MD
LG