Ndërlidhjet

Protestë e serbëve në Prishtinë për zbatim të ligjit të RTK-së


Pamje nga protesta e sotme në Prishtinë, 24 maj 2016
Pamje nga protesta e sotme në Prishtinë, 24 maj 2016

Rreth 100 pjesëtarë të komunitetit serbë kanë protestuar gjatë ditës së marte përpara ndërtesës së Radio Televizionit të Kosovës me kërkesën që ky institucion të respektojë ligjin për zgjedhjen e drejtorit të programit të dytë të RTK-së, në gjuhën serbe.

Protestuesit, që në mënyrë të organizuar nga vendbanimet e tyre erdhën në Prishtinë me dy autobusë, u shpërndanë të qetë pas protestës. Me moton „Respekto Ligjin“, ata thanë se po shkelet ligji në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTK 2, në gjuhën serbe, pas skadimit të mandatit të drejtorit të deritashëm.

Sipas tyre, katër anëtarëve të komisionit ad hoc i emëruar nga Bordi i RTK-së, që duhet të propozojë dy kandidatë për drejtor, nuk i plotësojnë kushtet të jenë pjesë të komisionit, I cili duhet të përbëhet nga ekspertë të mediave, përfaqësues të njohur të shoqërisë civile dhe njerëz jashtë politikës.

Kryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Nicic, i ka bërë thirrje Bordit Drejtues të RTK-së që të respektojë ligjin kurse autoriteteve të vendit të respektojnë Kushtetutën, duke kërkuar që përzgjedhja e drejtorit të bëhet në mënyrë transparente.

Protestuesit thanë se njëri nga kandidatët për drejtor të RTK 2, programit në gjuhën serbe, është ish-zëvendësi i kryetarit të komunës së Shtërpces dhe kjo e ban atë të mos përmbushë kriterin për drejtor.

Ligji për RTK-në parasheh që të gjithë ata që në tri vitet e fundit kanë kryer funksione politike, qoftë në nivele lokale ose atë qendror, nuk mund të zgjidhen në menaxhment të RTK-së..

Kanali i dytë i RTK-së, filloi punën nga mesi i vitit 2013, në kuadër të RTK-së, dhe përvec programit në gjuhën serbe, transmeton program edhe në gjuhët e tjera të bashkësive etnike në Koosvë. RTK 2 financohet nga buxheti i shërbimit publik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG