Ndërlidhjet

Pakistan: Arrestohen vrasësit e dyshuar të mësueses 19 vjeçare


Ilustrim
Ilustrim

Policia në Pakistan ka njoftuar se të pesë të dyshuarit në vrasjen brutale të një mësuese 19 vjeçare tash janë në paraburgim.

Maria Bibi ishte torturuar, i ishte hedhur benzinë dhe asaj më pas i është vënë zjarri më 30 maj, pasi refuzonte që të martohej me dikë që ishte dy herë më i vjetër se ajo.

Para se të vdiste, Maria Bibi kishte arritur të jepte deklaratë në polici, duke thënë se pesë sulmues i kishin hyrë në shtëpi në qytezën, Dewali i Lartë, e kishin nxjerrë në një zonë të hapur dhe e kishin shkelmuar sikur të ishte top futbolli.

Ajo ishte dërguar në një spital në kryeqytetin Islamabad, në gjendje të rëndë ndërsa më vonë nuk i kishte mbijetuar plagëve.

Sulmuesit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Më 3 qershor, policia ka thënë se tre të dyshuar në këtë rast janë arrestuar, herët në mëngjes, pas dy arrestimeve të tjera që ishin bërë një ditë më parë.

Rasti kishte tronditur kombin ndonëse dhuna ndaj grave është lajm i shpeshtë në Pakistan, ku gati 1 mijë gra vriten çdo vit në raste që quhen “vrasje për ruajtje nderi”.

XS
SM
MD
LG