Ndërlidhjet

SHBA: Ceremonia e varrimit të Muhammad Aliut - më 10 qershor


Muhammad Ali - foto e marsit të vitit 1982
Muhammad Ali - foto e marsit të vitit 1982

Raportohet se ceremonia e varrimit të legjendës së boksit, Muhammad Ali, do të organizohet më 10 qershor në qytetin e tij të lindjes, Luizvill (Kentaki), në Shtetet e Bashkuara.

Ai vdiq dje në një spital nga përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore.

Nga ana tjetër, zyrtarët më të lartë dhe politikanë të njohur në Shtetet e Bashkuara, kanë vazhduar të shprehin nderim për boksierin legjendar.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka përshkruan Aliun si kampion të madh “që ka luftuar për atë që ishte e drejtë”.

Mëtutje, ai theksoi se edhe kur aftësitë fizike të Aliut ishin në rënie, boksieri i madh “u bë forcë edhe më e fuqishme për paqe dhe pajtim në gjithë botën”.

Kandidatja favorite për nominim demokrat për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton, e ka përkujtuar boksierin Muhammad Ali, duke e goditur kandidatin republikan, Donald Trump.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë vend “ku njerëzit i shkatërrojnë barrierat, ku ata mund t’i besojnë Zotit të tyre, ku ata mund ta zgjedhin emrin e tyre” ashtu siç veproi Muhammad Ali.

Zoti Trump, që udhëheq bindshëm në garën zgjedhore për nominim republikan, në rrjetin Twitter ka shkruar se boksieri Ali “është kampion me të vërtetë i madh dhe person i mrekullueshëm dhe ai do tu mungoj të gjithëve”.

I ndjeri, Muhammad Ali, më herët është shprehur kundër propozimit të zotit Trump për ndalesën e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG