Ndërlidhjet

Fajon: Demarkacioni kusht absolut për liberalizim


Raportuesja e PE-së për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon,
Raportuesja e PE-së për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon,

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes së procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha se brenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit të Evropës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, do të debatojë për herë të parë për një raport që ajo e ka përgatitur për liberalizim të vizave për Kosovën.

Në një bisedë me Radion Evropa e lirë, Fajon tha se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”.

“Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ajo.

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar vitin e kaluar, por e pa ratifikuar në Parlament, duhet të miratohet para se BE-ja të vendos për liberalizim të vizave.

Autoritetet në Prishtinë i kanë siguruar, ndërkaq, zyrtarët evropianë, se do ta kalojnë marrëveshjen në Parlament, dhe besohet se brenda muajit do të provojnë ta miratojnë me votat e partive në koalicion.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se në çështjet e adresuara nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave, autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar rezultatet.

“Komisioni Evropian ka adresuar vetëm dy çështje. Në kuadër të sundimit të ligjit ne duhet të vazhdojmë të dëshmojmë rezultate, dhe në kohën e fundit ka pasur përpjekje të shtuara të organeve të rendit dhe ligjit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”

“Ndërkaq, kushti tjetër ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që është një çështje e cila ka nxitur debat të ndjeshëm në Kosovë dhe e cila është duke u trajtuar përmes dialogut politik”, ka theksuar Ilazi.

Por, për partitë politike në opozitë, çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet ende e pazgjidhur.

Në fundvitin e kaluar opozita ndërpreu shumë herë punimet e Kuvendit, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe protestat në rrugë,ndërkohë që paralajmëroi se çdo përpjekje për ta futur në rend dite çështjen e demarkacionit do të ngjallë reagime të forta.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se është shumë normale që Bashkimi Evropian të kërkojë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, para se të bëhet liberalizimi.

Por, sipas Nitaj, BE-ja dhe askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka kërkuar që demarkacioni me Malin e Zi të bëhet keq dhe në dëm të Kosovës.

Ai i konsideron të padrejta akuzat që po i bëhen opozitës se janë ata që po e bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave.

“Unë besoj që të gjitha këto telashe i ka shkaktuar Qeveria e Kosovës dhe Komisioni shtetëror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ata duhet të reflektojnë dhe ata duhet ta heqin këtë pengesë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin peng i një procesi të vendosur keq nga ana e qeverisë dhe Kosova ta fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave”, thekson Nitaj.

Ai tha se një komision i ri për përcaktimin e kufirit do ta niste nga e para gjithë procesin dhe kufiri do të shënjohej drejtë dhe saktë dhe jo në dëm të Kosovës apo në dëm të dikujt tjetër.

Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ka legjitimitet ta ratifikojë jo vetëm Kuvendi aktual, por asnjë përbërje tjetër.

Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Ymeri ka theksuar se nuk ka kurrfarë kuptimi të formohen komisione të reja nëse nuk anulohet marrëveshja aktuale.

“Pra, çfarëdo komisioni që formohet, siç ishte edhe ai që e formoi ish-presidentja Atifete Jahjaga, me ata që i quanin ekspertë ndërkombëtarë dhe e vlerëson këtë marrëveshje sipas dokumentacionit që është përdorur, do të dalë rezultati thuajse njëjtë”, ka theksuar Ymeri.

Ndryshe, përveç kriterit për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova duhet të përmbushë edhe një kriter tjetër, që është thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG