Ndërlidhjet

Ngrihet aktakuzë kundër katër zyrtarëve të Drenasit


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të të pandehurve: H.XH.TH, drejtoreshë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Kuvendin Komunal në Drenas, SH.B, zyrtar certifikues në Kuvendin Komunal në Drenas, V.J, zyrtar në Kuvendin Komunal në Drenas, dhe N.B pronar i një firme private.

Në komunikatën për media thuhet se "tre të pandehurit e parë akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar", ndërsa "i pandehuri N.B akuzohet se u ka ndihmuar të pandehurve si persona zyrtarë në kryerjen e veprës penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar".

Sipas aktakuzës, të pandehurit H.XH.TH, SH.B dhe V.J ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e blerjes së një kamioni për fikjen e zjarrit për komunën e Drenasit, me ç’rast firmës private të të pandehurit N.B i kanë paguar shumën e parave në vlerë prej 110,000 mijë eurosh,

Pas ekzaminimit të kamionit, thuhet në komunikatë, është vërejtur se ai nuk i plotëson kriteret sipas kontratës dhe se pagesa për këtë kamion është bërë para se të bëhet pranimi teknik i mallit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Prokurorja e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

XS
SM
MD
LG