Ndërlidhjet

BeH: Arrestohen gjashtë persona për krime lufte


Aksion i Policisë në Bosnjë
Aksion i Policisë në Bosnjë

Pjesëtarë të sigurimit në Bosnjë e Hercegovinë (SIPA), kanë arrestuar në rajonin e Novi Gradit (Bosanski Novi i dikurshëm) gjashtë persona të dyshuar për krime lufte.

Dyshohet se të gjashtit, gjatë muajit qershor të vitit 1992, në kuadër të sulmit të gjërë dhe sistematik të ushtrisë e policisë të RS (Republika Serbe) si dhe formacioneve paraushtarake ndaj popullatës civile të përkatësisë boshnjake, personalisht, kanë marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime dhe përndjekje të të gjithë popullatës të përkatësisë boshnjake nga vendbanimet Ekiqi dhe Aliqi në rajonin e Bosanski Novi.

Gjatë sulmit në fshatrat e përmendura dhe përndjekjes së banorëve nga shtëpitë e tyre të dyshuarit, personalisht, dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë marrë pjesë në vrasjen e 27 civilëve të përkatësisë boshnjake, meshkuj, të cilët janë ndarë nga familjet e tyre dhe janë keqtrajtuar. Pas kësaj janë dërguar në një lokacion tjetër, ku janë detyruar që të hapin varrezën e përbashkët dhe janë vrarë me armë zjarri e varrosur në varrezë masive.

Të dyshuarit ngarkohen se në vitin 1996, me qëllim të mbulimit të krimit, kanë marrë pjesë në zhvarrimin e varrezës masive dhe të hedhjes së shumicës së eshtrave në lum, duke ndikuar që vetëm mbetjet mortore të gjashtë personave të gjenden në lokacionin e varrezës masive në afërsi të lumit ku janë hedhur, kurse për eshtrat e tjera ende po gjurmohet. (REL)

XS
SM
MD
LG