Ndërlidhjet

Rusia gjithashtu ka përzënë diplomatë amerikanë


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e jashtme ruse ka thënë se i ka përzënë dy diplomatë amerikanë nga Moska në muajin qershor si përgjigje ndaj një vendimi të ngjajshëm amerikan që Rusia e ka quajtur “armiqësor” kur Uashingtoni përzuri diplomatë rusë nga SHBA-të.

“Pas hapit të tyre armiqësor, dy punonjës të ambasadës së Shteteve të Bashkuara duhej të largoheshin nga Moska. Ata janë shpallur persona të padëshiruar si pasojë e aktiviteteve që nuk përkojnë me statusin e tyre diplomatik”, ka thënë përmes një deklarate zëvendës ministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Ky i fundit i ka akuzuar dy diplomatët e përzënë amerikan si agjentë të CIA-s.

Deklarata është bërë një ditë pasi SHBA-të kanë njoftuar për largimin e dy zyrtarëve rusë pas një përleshje që ndodhi muajin e kaluar në mes të një diplomati amerikan dhe një roje ruse, në hyrje të ambasadës amerikane në Moskë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby ka thënë se rusët janë përzënë më 17 qershor në lidhje me incidentin që ndodhi në fillim të qershorit në kryeqytetin rus, por pa dhënë ndonjë detaj tjetër.

Nuk është e qartë se cilët diplomat rusë janë përzënë nga SHBAtë dhe nëse ata kanë qenë diplomatë të akredituar.

Përleshja fizike në Moskë ka ndodhur më 6 qershor, kur një person i identifikuar si diplomat i akredituar amerikan në Moskë është sulmuar dhe lënduar nga një pjesëtar i shërbimit të sigurisë ruse në hyrje të ndërtesës së ambasadës.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se amerikani e kishte treguar letërnjoftimin e tij rojës, mirëpo roje megjithatë e kishte sulmuar diplomatin duke ia thyer krahun.

Rusia më pas e ka akuzuar diplomatin amerikan duke thënë se ai është agjent i CIA-s.

Incidenti ka ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të diplomatëve amerikanë dhe zyrtarëve të sigurisë së Rusisë në Moskë.

XS
SM
MD
LG