Ndërlidhjet

Kryesia e LDK: Po demarkacionit dhe riformatimit të qeverisë


Kryetari i LDK-së dhe kryeministri, Isa Mustafa - Arkiv
Kryetari i LDK-së dhe kryeministri, Isa Mustafa - Arkiv

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së “njëzëri janë pajtuar” që marrëveshja me Malin e Zi për shënimin e kufirit duhet të miratohet në Kuvend, thuhet në një komunikatë që subjekti qeveritar i Kosovës iu ka dërguar mediave pas mbledhjes së mbajtur pasditën e së martës.

Mbledhja sipas njoftimit është udhëhequr nga kryetari i partisë dhe kryeministri, Isa Mustafa.

“Pas diskutimeve shterruese, anëtarët e Kryesisë së LDK-së, njëzëri u pajtuan që duke u bazuar në punën e komisionit shtetëror, vlerësimin e komisionit ndërkombëtar të krijuar nga ish-Presidentja Jahjaga, si dhe qëndrimin e Presidentit Amerikan Barack Obama, të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe mesazheve të qarta të ndihmës sekretares amerikane Victoria Nuland e personaliteteve të tjera evropiane, duhet të vazhdohet me ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshje, e cila do t’i hap rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe proceseve tjera integruese dhe zhvillimore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të mërkurën më 13 korrik ta mbajë mbledhjen ku do ta procedonte për në Kuvend marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, mirëpo kjo mbledhje është shtyer deri nga fundi i javës.

Partia e dytë më e madhe në Kosovë njofton se Kryesia e partisë ka diskutuar edhe për riformatimit kabinetit qeveritar të Kosovës “me ç'rast ka dominuar mendimi se kabineti qeveritar mund të fuzionohet dhe të fuqizohet me potenciale të reja, të cilat do të fuqizonin edhe më tutje procesin e reformave që po zhvillohen nga Qeveria e Kosovës”.

Mirëpo tema e riformatimit do të diskutohet me propozime konkrete në mbledhjen e radhës të Kryesisë së LDK-së.

XS
SM
MD
LG