Ndërlidhjet

Katër pyetje të pakëndshme rreth grusht shtetit të dështuar turk


Abbas Djavadi

Pak pas dështimit të grusht shtetit në Turqi që mori jetën e rreth 300 personave, u arrestuan 6 mijë të dyshuar, shumica prej të cilëve gjykatës, prokurorë dhe oficerë ushtrie. Shumica e arrestimeve kanë ndodhur brenda 24 orëve, pjesa tjetër një ditë më pas.

Nuk ka dyshim që do të ketë më shumë arrestime. Presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan ka thënë këtë: “Nga pjesëtarët e Këshillit të Lartë të Gjykatësve dhe Prokurorëve e deri te pjesëtarët e Gjykatës Kushtetuese, njerëzit po përjashtohen nga puna dhe po arrestohen. A është kjo e mjaftueshme? Jo, nuk është. Kjo duhej të ndodhte, por nuk është e mjaftueshme”.

Derisa konsiderohet e pashmangshme që masat ndëshkuese të ndodhin, sfida është që Turqia ta bëjë këtë me përmbajtje. Dhe, këto llogaritje që po vazhdojnë do të ngrisin disa pyetje të papërshtatshme.

1. Cili ka qenë qëllimi i grusht shtetit?

Një grusht shtet ushtarak zakonisht e ka cak qeverinë, por kjo nuk duket të jetë patjetër ajo që ndodhi në Turqi. Kur janë dëgjuar të shtënat e para më 15 korrik, presidenti ka qenë me pushime. Asnjë prej ministrave kyq, guvernatorëve apo shefave të policisë nuk janë arrestuar. Autorët e grusht shtetit kanë marrë peng disa prej komandantëve të ushtrisë dhe kanë okupuar shtabin e ushtrisë si dhe një bazë ajrore në Ankara. Kjo dukej më shumë si një veprim kundër ushtrisë se sa qeverisë.

2. A është bombarduar Parlamenti?

Pasi parlamenti turk është sulmuar me bombë më 15 korrik, të gjitha partitë politike, përfshirë edhe ato opozitare janë treguar unike në mbrojtjen e Parlamentit dhe demokracisë. Megjithë sulmet, deputetët janë kthyer në ndërtesën e partlamentit për të demostruar përkrahjen e tyre. Shumë vëzhgues menjëherë kanë pyetur se cili ishte qëllimi i bombardimit të Parlamentit, edhe nëse do të arrihej shkatërrimi i plotë i ndërtesës në fjalë.

Dëmi megjithatë ishte i vogël, ndërsa Parlamenti është ende funksional. Lidhjet satelitore të shumë kanaleve televizive, përfshirë edhe atë shtetëror janë dëmtuar, ndonëse disa televizione private, me theks të veçantë CNN turk, kanë mbetur të paprekura. (Ironikisht, CNN turk u bë një tribunë e protestës kundër përpjekjeve për grusht shtet).

Organizatorët e grusht shtetit dërguan disa ushtarë të rinjë që të okupojnë agjencitë qeveritare dhe disa zyre qëndrore të mediave. Por, këta ushtarë nuk ishin efikas, nuk ishin në dijeni për misionin e tyre dhe shumë shpejtë u dorëzuan. Disa u vranë në mënyrë brutale nga turma.

3. Si u zbuluan 6 mijë të dyshuar brenda dy ditësh?

Ministri turk i drejtësisë, Bekir Bozdag, ka thënë se “6 mijë të dyshuar janë arrestuar” dhe se arrestimet do të vazhdojnë. Por, si është teknikisht dhe njerëzisht e mundur që autoritetet turke të mbledhin dëshmi të ligjshme për 6 mijë qytetarë në kohë kaq të shkurtër? Në mungesë të dëshmive konkrete, është e mundshme që qeveria ka arrestuar persona që kanë qenë pjesë të ndonjë liste njerëzish që kanë qenë në vëzhgim si kërcënim, listë kjo që është hartuar para grusht shtetit.

Një pjesë e madhe e të arrestuarve, rreth 2500 njerëz, kanë punuar në sistemin e drejtësisë. Nëse grusht shteti është kryer nga një “grup i vogël” brenda ushtrisë, ashtu siç ka thënë edhe Erdogani, pse kanë qenë të përfshirë edhe kaq shumë gjykatës dhe prokurorë?

4. Ku është dëshmia për rolin e Fetullah Gylenit?

Autoritetet shumë shpejtë e kanë fajësuar klerikun turk me banim në SHBA, Fetullah Gylen. Ky i fundit e ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirje ndërsa Ankaraja ende nuk ka ofruar asnjë dëshmi të qartë rreth rolit të klerikut. Erdogani iu ka bërë thirrje zyrtarëve amerikanë që ta ekstradojnë Gylenin, i cili në SHBA jeton prej vitit 1999.

(Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thënë se administrata e Obamës do e shqyrtonte kërkesën e ekstradimit për Gylenin vetëm nëse Uashingtonit i prezantohen dëshmi për fajin e klerikut.)

Pavarësisht a paraqiten dëshmi apo jo, grusht shteti ka krijuar mundësi të mirë për të shtypur lëvizjen e Gylenit, e cila konsiderohet organizatë terroriste në Turqi. Shumë zyrtarë dhe media i kanë zmadhuar pretendimet për përfshirjen e Gylenit duke e krijuar një klimë frike ku pak kush guxon që të vë në pikëpyetje akuzat.

Kjo gjithashtu mund të përdoret për të demonizuar armiqtë e tjerë të qeverisë. Autoritetet turke dhe mediat pro qeverisë e kanë shtuar edhe një të dyshuar: Partinë e Unionit Demokratik Kurd (PYD) të Sirisë veriore. Kjo parti ka lidhje të afërta me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) një grup militant i paligjshëm që bën luftë civile në Turqi që 32 vjet.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG