Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshja për Reformën në Drejtësi


Lulzim Basha
Lulzim Basha

Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, forcat politike arritën pas shumë javësh bisedimesh pa fund, një marrëveshje për Reformën në Drejtësi, që i hap rrugë miratimit të saj nesër në Parlament me konsensusin e të gjitha palëve.

Arritja e marëveshjes u lehtësua dhe falë ndërmjetësisë së Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn, i cili gjatë dy ditëve të fundit ka patur biseda telefonike të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama, me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.

Në një mesazh dërguar të treve gjatë ditës së sotme, e që ka çuar dhe në zhbllokimin e situatës, komisioneri Hahn vinte në dukje pikat e konsideruara si “linja të kuqe nga komuniteti ndërkombëtar” të bazuara në propozimin hibrid të Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland.

“Së pari, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, duhet të ketë një bazë solide ligjore brenda kushtetutës së Shqipërisë. Së dyti, unë e rinënvizoj, sic kemi thënë përgjatë gjithë procesit se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorit do të bëjë rekomandime që nuk janë ligjërisht të detyrueshme dhe ato do të përmbajnë arsyetimin përkatës për qëndrimin e marrë bazuar në kriteret e përcaktuara në ligj”.

I pari që njoftoi arritjen e marrëveshjes ishte kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Eshtë rënë dakort se roli i Misionit Ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare dhe kjo do mishërohet në kushtetutë. Nuk do përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve por vetëm i provave”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “PD është e gatshme që nesër të bashkojë votat për draftin kushtetues”.

Kreu i opozitës foli për “një betejë që ja vlejti”, pasi tani siç u shpreh ai “drafti mishëron e reflekton plotësisht rekomandimet e Venecias dhe është i bazuar në propozimin e zonjës Nuland”.

Kënaqësi shprehur edhe kryeministri Edi Rama për faktin që sipas tij “PD u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. E dyta, i gëzuar që përpjekja për t’i shpallur luftë SHBA-ve dhe BE-së rezultoi një fluskë sapuni. Dhe e treta dua të ndaj faktin se ky është drafti i Reformës Kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz aboslutisht asgjë sa i përket dy çështjeve që mbajtën peng procesin, pranisë dhe përfshirjes së OMN-së në kushtetutë dhe rolit të tij”, deklaroi zoti Rama.

*Ky material fillimisht u publikua në VOA

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG