Ndërlidhjet

OKB e kritikon Irakun për ekzekutimin e të burgosurve


Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Raad al-Hussein
Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Raad al-Hussein

Kombet e Bashkuara e kanë kritikuar qëllimin e Irakut për të shpejtuar dënimet me vdekje që jepen nga gjykatat e vendit.

“Marrë parasysh dobësinë e sistemit të drejtësisë së Irakut, jam tejët i shqetësuar që njerëz të pafajshëm janë dhe mund të vazhdojnë të dënohen dhe ekzekutohen, duke rezultuar në dështime tejet të rënda dhe të pakthyeshme të drejtësisë”, ka thënë Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein.

OKB kanë dëshmi për “dështime të vazhdueshme në lidhje me proceset (gjyqësore) dhe standardet në lidhje me gjykimet e drejta, përfshirë këtu edhe mbështetja në tortura për të siguruar rrëfime” në Irak, ka thënë më tej ai.

“Ekzekutimet me procedurë të shpejtë vetëm sa do e shpejtojnë padrejtësinë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Irakut, Haidar al Abadi muajin e kaluar e ka krijuar një komitet për të shpejtuar ekzekutimet si pasojë e rritjes së kritikave për mungesë sigurie në Bagdad.

Një sulm me bomb i kryer nga grupi Shteti Islamik në një zonë të ngarkuar tregtare në kryeqytetin irakian ka vrarë më shumë se 300 persona më 3 korrik. Pas sulmit, Iraku ka ekzekutuar pesë të burgosur.

Hussein ka thënë se ai e kupton se si sulmet e tilla “nxisin zjarrin e hakmarrjes...por, hakmarrja nuk është drejtësi.”

Amnesty International ka thënë se Iraku rregullisht gjendet në mesin e pesë vendeve në botë për ekzekutime. Deri më tash gjatë këtij viti, Iraku tashmë ka ekzekutuar 105 persona.

XS
SM
MD
LG