Ndërlidhjet

Siri: Opozita thotë se e ka thyer bllokadën e forcave qeveritare


Luftëtarët opozitarë në Siri dhe mbështetësit e tyre e pritën me gëzim lajmin për thyerjen e bllokadës në Alepo
Luftëtarët opozitarë në Siri dhe mbështetësit e tyre e pritën me gëzim lajmin për thyerjen e bllokadës në Alepo

Luftëtarët opozitarë në Siri thanë mbrëmë se e kanë thyer rrethimin trejavor të forcave qeveritare në qytetin Alepo, disa ditë pasi e kanë lansuar një kundërofensivë ndaj forcave qeveritare të Sirisë, që mbështeten nga Rusia, dhe se këto forca qeveritare tash janë në defensivë.

Koalicioni Kombëtar opozitar, me seli në Stamboll të Turqisë, tha se në mënyrë të suksesshme e ka thyer rrethimin, duke hapur një rrugë të re në qytet, nga pjesa jugperëndimore.

Luftëtarët opozitarë dhe militantët islamikë kanë ndërmarrë sulme të ashpra prej 31 korrikut për ta përfunduar rrethimin, nga i cila ishin bllokuar afro 250 mijë civilë në lagjet lindore të Alepos.

Por, Televizioni shtetëror i Sirisë mbrëmë vonë ka raportuar se ushtria e ka marrë kontrollin ndaj disa pikave kryesore në një kompleks ushtarak në jug të Alepos, ndaj të cilit më herët kontrollin e kishin marrë luftëtarët opozitarë.

Raportet për luftime të ashpra dhe sulme ajrore në këto hapësira, sugjerojnë se çfarëdo kalimi që ka mundur të hapet për civilët, nuk do të jetë i sigurt për kalim.

XS
SM
MD
LG