Bashkimi Evropian i ka përfshirë dy shtetas të Rusisë në listën e saj të sanksioneve për personat e ndërlidhur me organizatat terroriste, al-Kaida dhe Shteti Islamik.
Në gazetën zyrtare të BE-së sot njoftohet se Aslan Byutukayev, 41 vjeçar, nga rajoni i Kaukazit Verior të Rusisë, dhe Ayrat Vakhitov, 39 vjeçar, nga rajoni Tatarstan i Rusisë, janë përfshirë në listë dhe ajo “është menjëherë e plotfuqishme”.
Këta të dy, në muajin korrik, janë përfshirë në listën e Shteteve të Bashkuara të personave që i janë bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe paraqesin “kërcënim për sigurinë e shtetasve të SHBA-ve ose për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme, ose për ekonominë e Shteteve të Bashkuara”.
Zyrtarët e Rusisë thonë se afro 2,500 shtetas rusë dhe të ish-republikave sovjetike, u janë bashkuar militantëve islamikë në Siri dhe Irak, gjatë viteve të fundit.