Ndërlidhjet

Vuçiq–Bidenit: Së shpejti mirëpresim përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës


Nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se temat kryesore të bisedimeve me nënpresidentin amerikan Joe Biden kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, dialogu Beograd-Prishtinë, marrëdhëniet rajonale dhe rruga evropiane e Serbisë.

“E njoftova nënpresidentin Biden se brenda një muaji ne do ta mirëpresim këtu kryeministrin Edi Rama, se do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëev të Kosovës dhe Metohisë, se do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime, Sepse duam që të zhvillojmë vendin tonë, të sigurojmë rritje të ekonomisë sonë, natyrisht duke ruajtur interesat tona kombëtare e shtetërore”, tha Vuçiq.

Analistë në Beograd, në mesin e të cilëve Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, mendojnë se përveç Edi Ramës, me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, në Beograd mund të vijnë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi

Biden në Beograd: Vizitë e shkurtër, por kemi arritur mjaft

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vizituar të martën Beogradin, në vizitën e dytë zyrtare të tij në Serbi, ku është takuar me autoritetet e larta serbe.

Në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, nënpresidentin amerikan e ka pritur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit të dy delegacioneve, atij amerikan dhe atij serb, Biden është takuar në katër sy me Vuçiqin.

“Vizita është e shkurtër, por kemi arritur mjaft”, ka thënë Biden.

“Zoti kryeministër, ju keni kaluar rrugë të gjatë për ta bërë vendin tuaj fitimtar në shumë fusha. (Presidenti) Obama dhe unë e respektojmë udhëheqjen që ju keni treguar në shumë momente, e veçanërisht në marrëdhëniet me Kroacinë”, ka thënë Biden.

Ai ka potencuar se Serbia është guri themelor për rajonin dhe se nga kjo do të varet se si do të përparojë rajoni. Siç ka theksuar nënpresidenti Biden, “ka mjaft gjëra nga historia, të cilat duhet të tejkalohen.

“Këtë çështje do ta hap nesër edhe në Kosovë. Do të nevojitet shumë punë dhe vullnet politik, por shpresoj se do të vazhdoni ta avanconi këtë situatë. Të dyja palët i janë drejtuar përparimit dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Biden.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në rrugë të rritjes. Sipas tij, në takim me zotin Biden, temat kryesore kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, marrëdheniet rajonale dhe rruga evropiane e Serbisë.

Vuçiq ka theksuar se do të bëjë gjithçka që të ofrojë siguri për investuesit, përfshirë edhe ata amerikanë. Ai ka thënë se e ka njoftuar nënpresidentitn Biden se pas një muaji do të jetë nikoqir i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe i përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri serb ka thënë se në takim është biseduar edhe për ato që kanë ndodhur në 30 vjetët e fundit, në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Në këto marrëdhënie ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, shumë njerëz kanë bërë një sërë gabimesh. Për ne, si popull dhe për ne si Qeveri e Republikës së Serbisë, por edhe për mua personalisht, kurrë nuk ka paraqitur dhe as sot nuk paraqet problem që ta marrim atë lloj përgjegjësie për gabimet që i kanë bërë bashkëkombasit tanë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka ka thënë se beson që një gjë të tillë duhet ta bëjnë edhe të tjerët, sepse, siç është shprehur, kanë pësuar mjaft serbë dhe shqiptarë dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë më në të ardhmen.

Nënpresidenti amerikan është takuar edhe me kryetarin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Në anën tjetër, Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit ka mbajtur një protestë për të kundërshtuar vizitën e nënpresidentit Biden në Serbi.

Nënpresidenti Biden, i cili në administratën amerikane në largim është i angazhuar për Ballkanin, ka vizituar Beogradin pak kohë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë.

Më herët, në korrik, Serbinë e ka vizituar edhe zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Noland.

Pas Beogradit, Biden do të udhëtojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me kryeministrin Isa Mustafa.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG