Ndërlidhjet

Vërshimet në Shkup, banorët reagojnë për vonesën e kompensimeve


Banorët e zonave të përmbytura në Shkup kanë akuzuar autoritetet për lënien e tyre në mëshirën e fatit, pasi edhe një muaj nga vërshimet shkatërruese të 5 dhe 6 gushtit, shumë familje po përballen me mungesë të kushteve elementare për jetë për shkak të shtëpive të shkatërruara dhe dëmeve tjera materiale. Në pamundësi për të riparuar dëmet dhe kthyer normalitetin, shumë prej tyre jetojnë tek të afërmit, disa nëpër banesa me qira, e një pjesë nëpër konvikte të shkollave.

Institucionet kishin premtuar kompensimin e plotë të dëmeve, por përveç ndarjes së në një ndihme në formë të avansimit prej 500 eurove dhe pastrimit të rrugëve dhe oborreve të shtëpive, ende nuk ka asnjë aktivitet për ngritjen e shtëpive të dëmtuara.

“Asgjë nuk kemi marrë nga shteti. Në ditën e tretë pas vërshimeve ishin dhe prej atëherë askush nuk na ka vizituar. Ne nuk kemi ku të shkojmë këtu nuk mund të jetohet. Shumë keq jemi. Kemi dorëzuar dokumentet që kanë kërkuar na thonë të presim. S'kemi asnjë ndihmë”,thotë Hanife Selmani, banore e fshatit Hasanbeg.

Një tjetër banor thotë se me ndihmat që kanë marr, nuk mund të mbulojnë as kushtet me elementar për jetë. Ai thotë se pa rindërtimin e shtëpive, nuk mund të flitet për kthimin e normalitetit në këtë rajon.

“Shteti nuk na ka ndihmuar aspak. Na kanë dhënë nga 500 euro, por me ato para nuk ndërtohet shtëpia. Në këtë shtëpi nuk mundemi të banojmë pasi ka pasur shumë ujë, deri në 3 metra. Muret ka plasur dhe ne nuk kemi mundësi ta rindërtojmë, fëmijën i kemi shpërndarë gjithandej”, Ismail Fejzullahu nga fshati Hasanbeg.

Vërshimet kishin goditur edhe fshatrat Stajkovcë dhe Straçincë. Por, derisa në Stajkovcë, gjendja duket më e normalizuar, në fshatin tjetër që ndodhet rreth 1o kilomtra nga Shkupi, gjendja është më e rëndë.

“Asgjë nuk na kanë ndihmuar. Unë e kam infrastrukturën krejt të shkatërruar dhe nuk mundem me lëviz. Me 500 euro nuk mundem me bë asgjë. Po na shëtisin nëpër sportele, por unë nuk kam shpresa. Vetëm te Zoti më kanë ngelur shpresat”, thotë Sevdail Rrahmani, banor i fshatit.

Nga komisioni për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve, thotë se kompensim do të ketë për të gjitha familjet, por procedurat po ngecin për shkak se numrit të madh të familjeve të goditura. Kryetar i komisionit, Ejup Alimi, thotë se pas fazës e dytë e kompensimit të plotë do të nis pas dhënies së avansit çdo familjeje dhe evidentimit të gjendjes së çdo shtëpie të dëmtuar.

“Ne si komisioni kemi punuar, por konsiderojmë se pasi të përmbyllet procesi i marrjes së avansit pastaj do të shkojnë në hapin përfundimtar të kompensimit të plotë. është një proces që mund të zgjas pasi ka shumë familje, nuk mund të themi se për sa do të mbyllet pasi janë diku rreth 5 mijë lëndë që duhet të shqyrtohen. Por unë besoj se do të kryhen shumë shpejtë, nuk mund të them se për një apo dy muaj, por do të kryhen”, thotë Ejup Alimi nga komisioni qeveritar për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve.

Për kompensimin e dëmeve qeveria ka planifikuar rreth 34 milionë euro, para këto që do t'i ndaj nga buxheti, për çka ka propozuar rishikimin e tij në Kuvend.

Debati ka përfunduar dhe votimi sipas shërbimeve të Kuvendit, do të jetë në rend ditë pas10 ditëve.

Ndryshe, nga vërshimet që përfshinë fshatrat e Shkupit, janë goditur rreth 5 mijë familje, 22 persona e kanë humbur jetën, dhjetëra të tjetër janë lënduar ndërsa një foshnje16 muajshe ende rezulton e zhdukur. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG