Koreja e Veriut është e gatshme të kryejë një provë të re bërthamore, raportoi media e Koresë së Jugut.
Agjencia e lajmeve Yonhap citoi zëdhënësin e Ministrisë jugkoreane të Mbrojtjes, Moon Sang-gyun, duke thënë se Phenjani “ka përfunduar përgatitjet” për provën në një tunel të pashfrytëzuar më parë, në lokacionin bërthamor Punnggye-ri.
“Vlerësimi nga inteligjenca e Koresë së Jugut dhe e SHBA-së, në lidhje me provën bërthamore të Koresë së Veriut, është se Veriu është në çdo kohë i gatshëm për një test të ri në zonën Punggye-ri”, tha Moon.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, është shprehur veçanërisht i shqetësuar.
“Koreja e Veriut ka kryer dy teste bërthamore në vetëm nëntë muaj. Kjo është absolutisht e papranueshme”, tha Abe.
Koreja e Veriut ka kryer provën e pestë bërthamore të premten.
Në të njëjtën ditë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është pajtuar për sanksione shtesë kundër Phenjanit.
Shpërthimin e parë bërthamor, Veriu e ka bërë më 2006.