Ndërlidhjet

Kryeministri Mustafa takohet me Nuland


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, është takuarme Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Mustafa e ka njoftuar Nuland për progresin në Kosovë, si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me proceset integruese, për fuqizimin e shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtare.

Kryeministri Mustafa ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, si partneri kryesor strategji i Kosovës.

Ndërkaq, Ndihmës Sekretarja Amerikane, Victoria Nuland, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës dhe ka shprehur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Gjatë ditës, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Isa Mustafa ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar.

Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën.

Në një deklaratë për media, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e takimeve në Nju Jork.

“Agjenda jonë ka të bëjë me forcimin e subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga më shumë shtete sa që e kanë njohur deri më tani. Pastaj, vënia e marrëdhënieve bilaterale me shtete të cilat e kanë njohur Kosovën por akoma nuk kemi vendosur marrëdhënie bilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Duke folur për përkrahjen e ofruar nga SHBA, kryeministri Mustafa ka thënë se ka pasur takime edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka ardhur në shprehje interesimi i përhershëm për Kosovën.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa ka thënë se çështja është shumë qartë.

“Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi . Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas”, ka thënë kryeministri Mustafa.

XS
SM
MD
LG