Ndërlidhjet

Ndihmat arrijnë në qytetet e rrethuara të Sirisë


Siri - foto arkivi
Siri - foto arkivi

Kamionët me ndihma kanë arritur në katër qytete të rrethuara të Sirisë, për herë të parë në gati gjashtë muaj, tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Shtatëdhjetenjë kamionë kanë arritur në qytetet Madaja dhe Zabadani, që kontrollohen nga rebelët, dhe në Foah dhe Kefraja, që janë nën kontrollin e qeverisë.

Sipas Kryqit të Kuq, kamionët kanë dërguar ushqime, barna dhe mjete të higjienës për 60,000 njerëz.

Ky zhvillim vjen pas përplasjave të ashpra për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli është mbledhur të dielën në një mbledhje urgjente, pasi fushata e bombardimeve në Alepo të Sirisë ka marrë hov të madh.

“Ajo çfarë po bën Rusia nuk është anti-terrorizëm, është barbarizëm”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power.

“Në vend se të ndihmojnë civilët të marrin ndihmat, Rusia dhe (presidenti sirian) Assadi bombardojnë konvojet humanitare, spitalet dhe ekipet që përpiqen të mbajnë gjallë njerëzit", tha Power.

Regjimi sirian ka nisur javën e kaluar ofensivë të re në Alepo, qytetin ku vazhdojnë të jetojnë rreth 275,000 njerëz.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se forcat siriane po bëjnë përpjekje të largojnë terroristët nga Alepo.

Ai nuk përmendi përfshirjen e forcave ruse në bombardimet ajrore.

XS
SM
MD
LG