Ndërlidhjet

Punëtorët serbë të Trepçës bllokojnë rrugën magjistrale


Miniera Trepça
Miniera Trepça

Rreth 100 punëtorë të Kombinatit Trepça, në veri të Kosovës, kanë bllokuar të mërkurën, për më shumë se 30 minuta, rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq, të pakënaqur me vendimin që “ligji për Trepçën me procedurë të përshpejtuar” të futet në rendin e ditës të Kuvendit të Kosovës.

Punëtorët kanë mbajtur flamujt e Serbisë dhe ato të minierës, ndërkaq së bashku më ta ishin edhe anëtarët e menaxhmentit dhe të Sindikatës së Trepçës si dhe kryetarët e “organeve të përkohshme të komunave Mitrovicë dhe Zveçan”, Aleksandar Spiriq dhe Ivan Todosijeviq.

Punëtorët thonë se nuk mund të “pranojnë miratimin e ligjit që do të sillte ndalimin e prodhimit dhe njëkohësisht do të ‘rrezikonte ekzistencën’ e punonjësve dhe familjeve të tyre”.

Drejtori I përgjithshëm i Trepçës në veri të Kosovës, Jovan Dimkiq, tha se ky “akt ligjor përmban elemente klasike të dhunës ekstreme politike pa asnjë bazë ligjore dhe është I papranueshme si dhe çon drejt konfliktit të drejtpërdrejt”.

“Është përpjekje e imponimit të një vullneti të njëanshëm politik të autoritetit në Prishtinë, pa hyrjen në thelb, në ekonomi. Ai paraqet interesat politike të cilat njëra palë i ka”, tha Dimkiq, duke paralajmëruar se menaxhmenti i Trepçës do të ndërmarrë të “ndërmarrë të gjitha masat që këto zhvillime të mos sjellin ndërprerjen e aktiviteteve prodhuese në Trepçë”.

"Presim mbështetjen e padyshimtë dhe të menjëhershme të organeve shtetërore të Serbisë dhe jemi të sigurt se ajo nuk do të mungojë”, tha ai

Në një deklaratë të Sindikatës së punëtorëve dhe menaxhmentit të Trepçës thuhet se shqetësimi I punëtorëve “është shumë i arsyeshëm” dhe nënvizohet se “punëtorët serbë e shqiptarë kanë qenë gjithnjë viktima kur Trepça ka qenë në fokus të konflikteve politike dhe të manipulimeve.

Në kumtesë thuhet se Trepça gjithmonë, e veçanërisht në këtë periudhë, është subjekti ekonomik më i rëndësishmi dhe më I madhi, I cili me prodhimin e tij mundëson “ekzistencën e shumicës dërrmuese të popullatës serbe, posaçërisht në veri të Kosovës”.(REL)

XS
SM
MD
LG