Ndërlidhjet

Karikaturisti serb nuk pendohet që ka kritikuar Vuçiqin


Dushan Petriçiq
Dushan Petriçiq

Nuk është e lehtë të jesh karikaturist politik në Serbi. Rrezikun e kësaj pune më së miri e dëshmon rasti i Dushan Petriçiqit, njërit prej karikaturistëve më të mirë të këtij vendi, puna e të cilit është shfaqur edhe në gazetat 'The New York Times', 'The Wall Street Journal' dhe 'Toronto Star'.

Më 30 shtator, Petriçiqit ju shkëput kontrata me gazetën kryesore serbe, ‘Politika’. Ai kishte punuar në këtë gazetë për shtatë vjet dhe puna e tij ishte shfaqur në faqen e parë të gazetës të edicionit të së dielës.

Së fundmi, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë subjekt i satirës së Petriçiqit – dhe ai fuqishëm beson se ky është burimi i problemeve të tij.

Në një intervistë për redaksinë në Beograd të Radios Evropa e Lirë, Petriçiq ka thënë se beson që vendimi për ta larguar nga puna ka ardhur nga lartë - nga vet kryeministri.

“Nuk kam prova për këtë gjë, por jam i bindur se kryeredaktori i ‘Politika’ ka pranuar telefonata, ose nga kreu (Vuçiq) ose nga njerëzit e tij. E di se ata qe sa kohë kanë qenë të zemëruar me faktin se karikaturat janë publikuar”, ka thënë ai, duke iu referuar karikaturave që satirizojnë Vuçiqin.

Kolegu i tij, Predrag Koraksiç Corax, sugjeron të njëjtën gjë përmes një komenti-karikature për shkarkimin e tij, ku Vuçiqi tregohet duke shikuar nëpër faqen e shqyer të parë të gazetës ‘Politika’.

Petriçiq ka thënë se largimi i tij nga puna mund të jetë iniciuar nga redaktori i gazetës, Zarko Rakiq, i cili sipas tij është mbështetës i Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit. Por, ka shtuar se “nëse ka dashur të më largojë nga puna, këtë gjë ka mundur ta bënte në fillim”.

Rakiq ka ardhur në këtë pozitë para disa muajsh.

Ditën e ardhshme, në një përgjigje dërguar nga Insajder.net, zyra e Vuçiqit ka thënë se kanë mësuar për shkarkimin e Petriçiqit përmes medieve.

Zyra e Vuçiqit ka thënë se mendimi i kryeministrit serb ishte që Petriçiqi duhet të lejohet të vazhdojë të publikojë punën e tij, sepse, “edhe pse duken ofenduese, karikaturat e tij janë nxitje për kryeministrin”.

“Ka të dhëna për forcimin e demokracisë serbe dhe ...kjo dëshmon se edhe atyre që mbajnë neveri të fortë ndaj qeverisë dhe shfaqin urrejtje personale ndaj kryeministrit, duhet t'u jepet hapësirë që të punojnë, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

Pothuajse menjëherë pas kësaj deklarate se ‘Politka’ duhet të vazhdojë të publikojë punën e Petriçiqit, redaktori i kësaj gazete, Rakiq, ka njoftuar se karikaturisti mund të rikthehet në punë.

Redaktori i ‘Politika’ ka thënë se Petriçiqi është shumë i shtrenjtë, por gjithsesi do ta merrte sërish në punë atë.

Ky ndryshim i menjëhershëm i vendimit nuk ka bërë asgjë për të zbutur dyshimet se vendimi për largimin e Petriçiqit nga puna kishte qenë i motivuar politikisht. Askush nuk ishte i befasuar me vendimin e gazetës për ta rikthyer në punë, sesa vet Petriçiqi. Por, ai ka thënë menjëherë se fati i tij nuk do të vendoset nga redaktorët e gazetës ose nga kryeministri.

“Çdo vendim për angazhimin tim të radhës varet edhe nga unë”, ka thënë Petriçiq.

Karikaturisti serb ka pranuar ofertën e revistës së përjavshme beogradase NIN. Në numrin e fundit të kësaj reviste është paraqitur një karikaturë, që ishte refuzuar të publikohej nga ‘Politika’ dhe po ashtu edhe një karikaturë e re e Petriçiqit.

“Puna e karikaturistit është të kritikojë dhe të bëjë satirë për ata që janë në pushtet. Karikaturisti asnjëherë nuk është shumë i ashpër. Ashpëria e karikaturës matet me sjelljen e pahijshme të qeverisë”, ka thënë Petriçiq. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG