Ndërlidhjet

Erdogan sfidon Irakun: Do të marrim pjesë në ofensivën për Mosulin


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia është e vendosur të marrë pjesë në një operacion të planifikuar nga forcat e koalicionit për të dëbuar grupin militant Shteti Islamik nga qyteti Mosul i Irakut.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha të premten se vendi i tij do të zbatojë një “plan B” nëse nuk përfshihet.

“Jemi të vendosur për t’iu bashkuar forcave të koalicionit në Irak, për të siguruar unitetin e Irakut. Nëse forcat e koalicionit nuk e duan Turqinë, ne do të zbatojmë planin B. Nëse ai nuk funksionon, do të zbatojmë planin C”, tha Erdogan.

Deklarata e tij vjen në kohën e tensioneve të larta midis Turqisë dhe Irakut.

Ushtarët turq trajnojnë njësitë myslimane sunite dhe forcat Peshmerga kurde për luftë kundër Shtetit Islamik.

Bagdadi kundërshton praninë e ushtrisë turke në veri të Irakut.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka thënë se Turqia rrezikon të nxisë luftë rajonale.

Mosuli, qytet i rreth 1.5 milion banorëve, ka qenë qendra e kalifatit të vetëshpallur nga Shteti Islamik në Irak, qysh në vitin 2014.

Forcat e koalicionit, të udhëhequra nga SHBA-ja, pritet të nisin ofensivën për rikthimin e tij brenda këtij muaji.

XS
SM
MD
LG