Shtetasi i Rusisë, që u arrestua në Pragë, për shkak të dyshimit se ka kryer sulme kibernetike në SHBA, është identifikuar.
Ai është Yevgeny Nikulin, 29-vjeçar nga Moska.
Programi i Radios Evropa e Lirë, Current Time, e ka gjetur Nikulinin përmes llogarisë së tij në Instagram dhe ka zbuluar se ai kishte udhëtuar nga Bjellorusia për në Poloni dhe më pas ka arritur në Republikën Çeke. Ai u arrestua në Pragë më 5 tetor.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova më vonë ka konfirmuar se i dyshuari për sulme kibernetike është Nikulin.
Ajo e ka përshkruar arrestimin e shtetasit rus “si një tjetër shembull”, i asaj që ajo e quan “përndjekje e qytetarëve rusë në mbarë botën nga agjencitë e ligjit të Shteteve të Bashkuara”.
Nikulin pritet që të dalë në seancën dëgjimore në Çeki, ku do të diskutohet për kërkesën e estradimit në SHBA. Por Moska ka bërë thirrje që ai të dërgohet në Rusi.
Akoma nuk është konfirmuar se në cilat insitucione amerikane kishte ndërhyrë Nikulin.
Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar qeverinë ruse për sulmet kibernetike ndaj organizatave dhe individëve në SHBA, me qëllim që të tentojnë të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.