Ndërlidhjet

Irak: Gjatë luftimeve në Kirkuk - dhjetëra të vrarë nga të dy palët


Forcat kurde të tubuara në një lokalitet ku ka pasur sulm nga militantët e Shtetit Islamik në Kirkuk gjatë ditës së djeshme.

Forcat e sigurisë së Irakut e kanë përballuar sulmin madhor të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Kirkuk, dhe e kanë rimarrë kontrollin e plotë në këtë qytet, ka raportuar sot Televizioni shtetëror i Irakut.

Autoritetet e qytetit pjesërisht e kanë tërhequr vendimin për orë policore, pasi miliantët kishin depërtuar me forcë në disa stacione të policisë dhe ndërtesa të tjera më 20 tetor, thuhet mëtutje në raportin e televizionit, duke e cituar korrespondentin në Kirkuk.

Së paku 18 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe punëtorë në një stacion të energjisë, përfshirë katër iranianë, janë vrarë gjatë sulmit.

Shefi i policisë së Kirkukut tha sot se forcat e Irakut i kanë vrarë 48 militantë të Shtetit Islamik, që kishin depërtuar në disa pjesë të qytetit.

Qyteti Kirkuk është i pasur me naftë dhe gjendet 290 kilometra në veri të kryeqytetit Bagdad, dhe 170 kilometra në juglindje të Mosulit, që është qyteti i dytë më i madh në Irak.

Sulmi i militantëve në Kirkuk u bë në periudhën derisa po zgjatë ofensiva e ushtrisë së Irakut dhe luftëtarëve kurdë për rimarrjen e Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG