Afro 20 udhëtarë janë lënduar gjatë evakuimit të një aeroplani të kompanisë, American Airlines, të cilin e ka përfshirë zjarri, mbrëmë në pistën e aeroportit ndërkombëtar, O’Hare në Çikago.
Aeroplani i tipit Boeing 767, që duhej të fluturonte për në Majami, kishte problem me një gomë dhe e anuloi ngritjen, ka njoftuar Administrata Federale e Aviacionit.
Të 161 udhëtarët dhe 9 anëtarët e ekuipazhit në aeroplan u evakuuan.
Sipas raporteve të mediave amerikane, afro 20 vetë u lënduan lehtë gjatë këtij evakuimi.
Në videot që janë transmetuar në rrjetet sociale shihet tym i zi mbi aeroplan.
Kompania American Airlines tha se fluturimi “është anuluar për shkak të një çështjeje të lidhur me motorin”.
Të gjitha fluturimet nga ky aeroport, i cili është ndër më të ngarkuarit në Shtetet e Bashkuara, ishin pezulluar.
Bordi i Sigurisë Kombëtare të Transportit po zhvillon hetime lidhur me këtë incident.