Ndërlidhjet

Trupat irakiane hyjnë në paralagjet e Mosulit


Një makinë ushtarake irakiane depërton drejt Mosulit
Një makinë ushtarake irakiane depërton drejt Mosulit

Një gjeneral irakian tha se forcat speciale kanë hyrë në paralagjet në lindje të Mosulit, më 1 nëntor dhe kanë marrë stacionin televiziv shtetëror atje.

Kjo është hera e parë që forcat qeveritare irakiane hynë në qytetin Mosul të Irakut verior, që prej pushtimit nga militantët Shteti Islamik në vitin 2014.

Trupat qeveritare nisën një sulm tokësor në zonën industriale të Mosulit në paralagjen Gogjali, gjatë ditës së 1 nëntorit si pjesë të një operacioni dy javësh për të marrë Mosulin.

Gjeneral majori Sami al Aridi tha se trupat e tij deri në mesditë ishin brenda rajonit të Gogjalit dhe vetëm 800 metra nga zona e ndërtuar al Karama e Mosulit.

Ai tha se militantët kanë vendosur blloqe betoni për të bllokuar paralagjen e Karamas dhe kanë vendosur mina dhe bomba përgjatë rrugëve në qytet. Beteja nisi pak para agut të 1 Nëntorit me të shtëna nga artileria, tanket dhe mitralozët e Irakut kundër pozicioneve në rajonin Gogjali dhe me mbështetjen e sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja.

Militantët i janë kundërpërgjigjur zjarrit me raketa anti tank dhe armë të vogla.

Forcat qeveritare irakiane, luftëtarët Peshmerga, milicia Shiite e përkrahur nga Irani dhe pjesëtarë të fiseve sunni së bashku janë drejtuar në Mosul nga të gjitha anët për të larguar militantët e IS-it që e kanë pushtuar Mosulin më 2014.

Ndërkohë, ushtria turke ka dislokuar tanke dhe pajisje të tjera ushtarake në rajonin Silopi në juglindje të Turqisë. Rajoni kufizohet me verilindjen e Sirisë dhe shtrihet deri në Irakun verior përgjatë autostradës strategjike irakiane, që çon drejt Mosulit rreth 130 kilometra në jug.

Të hënën, kryeministri irakian Haider al-Abadi tha se 3000 deri në 5000 militantë besohet se janë brenda Mosulit, dhe u bëri thirrje që “të dorëzohen ose vdesin".

Trupat irakiane nisin sulmin tokësor në paralagjet e Mosulit

Një betejë e ashpër ka filluar në Mosul kur trupat irakiane kanë nisur një, siç vlerësohet, sulm tokësor në një paralagje të qytetit – sulmi i parë i tillë në dy javë, që kur ka nisur operacioni për marrjen e Mosulit nga militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Luftimet filluan në agun e 1 nëntorit kur trupat qeveritare irakiane që avancuan ditën e kaluar deri në një kilometër në afërsi të Mosulit shtinë me artileri të rëndë, me tanke dhe mitralozë mbi pozicionet e IS-it në cepin e paralagjes Gogjali në lindje të Mosulit.

Militantët iu kundërpërgjigjën me raketa antitank dhe të shtëna armësh në një përpjekje për të penguar avancimin e forcave qeveritare irakiane.

Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë mbështetur sulmin e qeverisë irakiane.

Militantët i kanë vënë flakën gomave që kanë lëshuar një tym të zi në ajër, në përpjekje për të penguar pamjen e qytetit nga avionët.

Trupat irakiane kanë shtënë me mortaja në një paralagje industrial në pjesën lindore të qytetit për disa ditë me radhë.

Por, avancimmi drejt Gogjalit do të shënojë herën e parë që prej vitit 2014, që forcat qeveritare irakiane do të fusin këmbën e tyre në qytetin e Mosulit.

Ndërkohë autoritetet e rajonit të Kurdistanit në Irakun verior kanë arrestuar një gazetar japonez që po njoftonte për betejën.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, ka konfirmuar se gazetari Kosuke Tsuneoka është arrestuar.

Suga tha se autoritetet japoneze po provojnë të përcaktojnë arsyet e ndalimit.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo njoftoi se tsuneoka po mbahet nga luftëtarët peshmerga.

XS
SM
MD
LG