Ndërlidhjet

Fushata Clinton kërkon nga FBI zbulimin e lidhjeve Rusi – Trump


Hillary Clinton dhe Donald Trump

Udhëheqës të fushatës së kandidates demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, kanë kërkuar nga agjencia FBI që të zbuloj se çka ka mësuar nga hetimi për lidhjet ndërmjet Rusisë dhe kandidatit republikan për president amerikan, Donald Trump.

Në një intervistë për rrjetin CNN, udhëheqësi i fushatës, Robby Mook, e ka shtruar pyetjen se përse drejtori i agjencisë FBI, James Comey, i cili javën e kaluar e ka trazuar garën presidenciale duke zbuluar se kjo agjenci po zhvillon hetime për informacione të reja në emailat e zonjës Clinton, nuk e ka publikuar asnjë njoftim për hetimin e FBI-së për lidhjet Rusia – Trumpi.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se FBI e kishte hapur një hetim preliminar para disa muajsh për akuzat se Trumpi ose bashkëpunëtorët e tij kishin pasur marrëdhënie të dyshuara me personat apo bizneset ruse, por se nuk ka gjetur dëshmi për ta hapur hetimin e plotë.

Agjencia FBI publikisht nuk ka komentuar për këtë hetim.

“Nëse ju jeni në detyrë të zbulimit të informacionit për hetimet ndaj kandidatëve presidencialë, atëherë publikoni çdo gjë që ju keni për Donald Trumpin”, tha Mook në CNN, dhe ka shtuar se “lironi informacionin për lidhjet e tij me rusët”.

XS
SM
MD
LG