Ndërlidhjet

Moskë: Personelit të organizatës AI nuk i lejohet hyrja në zyra


Dera e zyrave të Amnesty International në Moskë është mbyllur ndërsa autoritetet e kanë lënë një shkresë të shkurtër

Autoritetet e Moskës i kanë bllokuar zyrat e organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), duke i pamundësuar personelit që të hyjnë në zyra, ka thënë shefi i zyrave, Sergei Nikitin.

Zoti Nikitin në rrjetin Facebook ka shkruar se ai dhe kolegët e tij nuk kanë mundur të hyjnë sot në zyrat e tyre në Moskë, duke thënë se dera kryesore e ndërtesës ishte thyer dhe se çelësat e dyerve të tjera ishin ndërruar.

Shefi i zyrës së Amnesty International në Moskë, Sergei Nikitin, ka njoftuar se në një shkresë zyrtare theksohej se personeli duhet të paraqitet në Departamentin e pasurisë shtetërore në Moskë dhe se gjërat dhe pajisjet e organizatës duhet të largohen nga ndërtesa, për të cilën AI thotë se ishte marrë me qera për më tepër se 20 vjet.

Organizatat për të drejtat e njeriut që marrin fonde të jashtme dhe janë kritike ndaj presidencës së Rusisë, janë nën presion të shtuar të autoriteteve ruse gjatë disa viteve të kaluara.

Në vitin 2012 në Rusi është miratuar legjislacioni sipas të cilit secila organizatë joqeveritare, që merr fonde nga jashtë dhe angazhohet në aktivitet politik, duhet formalisht të regjistrohet si “agjent i jashtëm”.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dha ato ruse, kanë vlerësuar se legjislacioni ishte miratuar për t’i heshtur zërat e pavarur.

XS
SM
MD
LG