Ndërlidhjet

SHBA: Partia Republikane e ruan kontrollin në Kongres


Kongresi amerikan
Kongresi amerikan

Partia Republikane e ka mbajtur kontrollin në të dy dhomat e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në zgjedhjet e djeshme, duke e mbajtur shumicën, me të cilën mund të paraqesin mbështetje të fuqishme legjislative për presidentin e zgjedhur, Donald Trump, pas njërës prej fushatave më të ashpër e përçarse në historinë moderne politike të Shteteve të Bashkuara.

Republikanët i kanë mbajtur ulëset në Senat në shtetet Pensilvani, Karolina Veriore, Floridë dhe Nju Hempshër, ku vlerësohet se të dy partitë kanë mbështetje pothuajse të barabartë. Kjo ndodhi përkundër pjesëmarrjes së fuqishme në zgjedhje të demokratëve, që kishte një potencial për t’i kundërshtuar kandidatët republikanë.

Megjithatë, republikanët e kanë ruajtur epërsinë me 52 ndaj 48, prej 100 vendeve në Senatin e Shteteve të Bashkuara, që është Dhoma e Epërme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

“Pas tetë viteve të administratës Obama, populli amerikan ka zgjedhur një drejtim të ri për vendin tonë dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka mundësi të rëndësishme që vendin tonë ta bashkojë”, tha lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConell, nga shteti Kentaki.

Mëtutje, ai ka theksuar se shpreson se “ne do të kemi sukses në vitet para nesh duke punuar së bashku me kolegët tanë, për ta forcuar sigurinë tonë kombëtare dhe ekonomike”.

Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit, me 435 legjislatorë, Partia Republikane duket se lehtë e ka mbajtur kontrollin, pasi tashmë i ka fituar 236, ndërsa demokratët 191. Tetë vende janë ende në shqyrtim.

Derisa pjesa më e madhe e hulumtimeve të opinionit sugjeronin se kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ishte favorite ndaj republikanit Donald Trump, kjo ka ndikuar që shumë republikanë udhëheqës të distancoheshin nga zoti Trump - i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale - nga frika se republikanët do të pësonin disfatë bindëse dhe do ta humbnin shumicën në Senat dhe në zgjedhjet e tjera lokale të nivelit më të ulët.

Partia që e ka shumicën në Senat pothuajse e ka kontrollin gati total ndaj të gjitha emërimeve presidenciale.

Shumë nominime të presidentit, Barack Obama, për plotësimin e vendeve të zbrazëta në gjyqësi, në kabinet, në komisione dhe poste të tjera, janë shtyrë ose praktikisht janë refuzuar.

Republikanët në Senatin aktual, për shembull, prej muajit mars e kanë refuzuar votimin për propozimin e presidentit Obama, për ta plotësuar një vend të zbrazët në gjykatën më të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Senati, po ashtu, ka autoritet për miratimin e marrëveshjeve të arritura nga ekzekutivi dhe për të udhëhequr procese të të ashtuquajturit 'impeachment'.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG