Ndërlidhjet

Presidenti: S’ka demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit, nëse s’i mbrojmë të drejtat e njeriut


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga misioni i OSBE-së për fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut.

Ai ka thënë se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

“Kosova po angazhohet të respektojë dhe promovojë të drejtat dhe instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore. Vëmendje të veçantë po i kushtohet mbrojtjes së personave që u përkasin grupeve të ndjeshme dhe minoriteteve, që të mos diskriminohen”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas presidentit, korniza ligjore që rregullon fushën e të drejtave të njeriut është avancuar dukshëm me miratimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut, që përfshijnë Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Avokatin e Popullit.

Për të pasur sukses në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, presidenti Thaçi ka thënë se medoemos duhet një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivel shtetëror, qofshin ata institucional apo nga shoqëria civile dhe një bashkëpunim me mekanizmat dhe autoritetet ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, presidenti Thaçi ka thënë se autoritetet kompetente duhet të vihen në funksionim të plotë dhe të shënohen rezultate domethënëse në drejtim të parandalimit dhe luftimit të çdo akti të diskriminimit.

“Krijimi i bazës ligjore duhet të përcillet edhe me zbatim efektiv të asaj baze ligjore”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pranishëm në konferencën e misionit të OSBE-së për fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut ishte edhe ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, si dhe avokati i popullit, Hilmi Jashari.

XS
SM
MD
LG