Ndërlidhjet

Grevë urie në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut 


Ilustrim
Ilustrim

Të burgosurit në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut kanë filluar grevën e urisë. Greva është nisurpas transferimit të katër të burgosurve që më parë ishin në këtë qendër, për të vazhduar mbajtjen e dënimit me burg në burgun e Podujevës.

Katër të burgosurit, në mesin e të cilëve është edhe Slobodan Gavriq nga Beogradi, i dënuar me 13 vjet burg për terrorizëm në Kosovë, janë serbët e vetëm në burgun e Podujevës.

Të burgosurit tjerë në Mitrovicë të veriut, në mesin e të cilëve është edhe Oliver Ivanoviq, kanë vendosur të fillojnë grevën e urisë. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë , zëvendësministri i Drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Nysret Hoxha.

Në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut janë rreth 40 persona, në mesin e të cilëve edhe persona që janë të dënuar me burg.

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka sqaruar se transferimi i katër të burgosurve nga Qendra e paraburgimit e Mitrovicës së veriut “është kryer në bazë të vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në bashkëpunim me organet tjera të sundimit të ligjit”.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se “në mënyrë që të gjithë të burgosurit të marrin trajtimin adekuat, Burgu i Sigurisë së Lartë ka pranuar në vitin 2013 staf korrektues serb, të cilët tani janë angazhuar në punë me këtë kategori të burgosurve”.

XS
SM
MD
LG