Ndërlidhjet

Kosova - në vendin e 70 të shteteve të rrezikuara nga terrorizmi


Kosova është radhitur në vendin e 70 të listës së vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi.

Në mesin e 143 vendeve të përfshira në këtë listë, në vendin e 92 radhitet Shqipëria, ndërsa Maqedonia është e 78-ta, Bosnjë-Hercegovina e 62-ta, Serbia është në vendin e 121-të, Mali i Zi është i 117-ti, e kështu me radhë.

Mëtutje, në Indeksin Global të Terrorizmit 2016, të publikuar sot nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, theksohet se numri i vdekjeve nga terrorizmi ka rënë për 10% në vitin 2015. Nga terrorizmi në vitin 2015, janë vrarë 29, 376 vetë.

Në këtë raport, po ashtu, theksohet se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe grupet aleate me të, ishin aktive në 28 vende në vitin 2015, ndërsa një vit më parë ky numër i shteteve ishte 13. Kjo shifër është shtuar për më tepër se dy herë.

Kjo ka rezultuar që një numër rekord i vendeve të jenë prekur nga terrorizmi i nivelit më të lartë në periudhën e fundit 16 vjeçare.

Në listën e vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Pakistani, Siria, e të tjera.

Vendi më i rrezikuar nga terrorizmi në Evropë është Franca, e cila është radhitur në pozitën e 29-të.

XS
SM
MD
LG