Ndërlidhjet

Obama mbërrin në Berlin në vizitë lamtumirëse


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një takim të vitit 2014 në Hanover
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një takim të vitit 2014 në Hanover

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka arritur në Berlin për t’u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel, me të cilën ka patur një aleancë të fuqishme transatlantike gjatë tetë vjetëve të kaluara.

Obama, që e përshkroi Merkelin përpara vizitës si “partnerin më të afërt ndërkombëtar”, do të ketë një darkë, të mërkurën, me kancelaren në hotelin e famshëm të Berlinit, Adlon, në afërsi të Portës së Brandenburgut.

Dy udhëheqësit, që së bashku janë përballur me krizën globale financiare, kanë promovuar tregtinë e lirë dhe kanë nxitur një marrëveshje ndërkombëtare për ndryshimet klimatike kanë nënvizuar vlerat e përbashkëta në një shkrim të përbashkët në revistën gjermane Wirtschaftswoche.

“Nuk do të ketë kthim në botën e para globalizmit”, shkruan ata, duke nënvizuar përfitimet e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë të negociuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së.

Trump, një afarist miliarder pa një përvojë të mëhershme politike, ka sulmuar marrëveshjet ndërkombëtare tregtare si një gurthemeltar të fushatës së tij, duke thënë se kjo i ka kushtuar me vende pune SHBA-së, shkruan Reuters.

Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Gjermanisë u ripërtërinë në vitet e fundit, me Obamën dhe Merkel që ndodheshin në krye të nismave ndërkombëtare për sanksione ekonomike ndaj Rusisë për shkak të rolit të saj në krizën e Ukrainës. Trumpi, për dallim, ka folur mirë për Putinin.

Javën e kaluar, Merkel, liderja më e fuqishme në Evropë, i ofroi bashkëpunim Trumpit mbi bazën e vlerave të përbashkëta të dy vendeve.

Merkel dhe Obama do të zhvillojnë biseda dy palëshe të enjten, përpara se t’u bashkëngjiten, të premten edhe liderët e Francës, Britanisë, Spanjës dhe Italisë.

Ky është udhëtimi i fundit i Obamës në Evropë si president i SHBA-së.

XS
SM
MD
LG