Ndërlidhjet

Kremlini e akuzon administratën Obama për dëmtim të lidhjeve


Yuri Ushakov
Yuri Ushakov

Yuri Ushakov, këshilltar i lartë për politikë të jashtme i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, e ka akuzuar administratën e Barack Obama për përpjekje për dëmtimin e lidhjeve me Moskën, para presidencës së Donald Trumpit.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar sot se zoti Ushakov e ka lavdëruar përmbajtjen e bisedës telefonike ndërmjet Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit, më herët këtë javë.

Biseda ka treguar për “dëshirën e dyanshme për përpjekje të përbashkëta në luftimin e terrorizmit”, tha Ushakov, dhe ka shtuar se kjo krijon “baza të mira për punën e ardhshme për problemin e Sirisë”.

Por, ai e ka akuzuar presidentin amerikan, Barack Obama, se “po bën çdo gjë të mundshme për t’i çuar lidhjet bilaterale në rrugë pa krye”.

Sipas zotit Ushakov, kjo e vështirëson punën e administratës së presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ripërtritjen e lidhjeve produktive “nëse ai dëshiron ta bëjë një gjë të tillë”.

Obama i ka imponuar disa valë të sanksioneve kundër Rusisë pr shkak të rolit të saj në konfliktin e Ukrainës, ndërsa këto masa ndëshkuese e kanë zemëruar Moskën.

Zyrtarët rusë, njëherësh, në mënyrë të zëshme e kanë shprehur mbështetjen për Trumpin, megjithqë Kremlini zyrtarisht ka thënë se nuk është i pozicionuar ndaj kandidatëve që do ta zëvendësojnë Obamën.

XS
SM
MD
LG