Ndërlidhjet

Obama e Putin flasin shkurt me njëri-tjetrin


Presidenti Obama dhe presidenti Putin në një takim të mëhershëm
Presidenti Obama dhe presidenti Putin në një takim të mëhershëm

Presidenti Barack Obama ka folur shkurt me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për Sirinë dhe Ukrainën, të dielën, gjatë kohës sa po i zhvillonte punimet një Samit ekonomik në Peru, në të parin bashkëbisedim ndërmjet tyre që prej zgjedhjes së Donald Trumpit president i ardhshëm i SHBA-së.

Të dy liderët u panë duke folur në fillim të sesionit të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi – Paqësor në Lima. Ata u zhvendosën për pak momente anash në sallë duke shtrënguar duart dhe pastaj u ulën në vendet e tyre.

Shtëpia e Bardhë tha se bashkëbisedimi zgjati 4 minuta njofton AP.

Megjithëse gazetarët ishin në afërsi nuk dëgjuan se çfarë thanë bashkëbiseduesit, por Shtëpia e Bardhë tha se Obama e ka inkurajuar Putinin që t’i përmbahet përkushtimeve të marrëveshjes së Minskut që synon përfudimin e konfliktit në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama gjithashtu bëri thirrje që sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe minsitri i jashtëm rus, Sergei Lavrov të punojnë së bashku në iniciativa me vendet e tjera për të zvogëluar dhunën në Siri dhe zbutur vuajtjet.

Biseda e shkurtër erdhi në kohën e spekulimeve të shtuara dhe shqetësimeve nëse zgjedhja e Trumpit mund të shihet si një qasje më pajtuese të SHBA-së ndaj Rusisë.

Nën Obamën SHBA-ja ndërmori sanksione të ashpra ndaj Rusisë për sjelljet agresive të saj në Ukrainë dhe nuk arriti që ta bind Moskën për të ndaluar intervenimin në luftën civile në Siri dhe ndihmën për presidentin Bashar al – Assad.

Trump dhe Putini kanë sinjalizuar se do të zhvillojnë marrëdhënie më pak antagoniste pasi Trump të jetë vendosur në zyre në janar. Në një bisedë të shkurtër telefonike, pasi u zgjodh Trump, Putini e ka uruar dhe I ka shprehur gatishmërinë “për një dialog të partnerëve”, tha Kremlini.

XS
SM
MD
LG