Ndërlidhjet

AI: Autoritetet turke përpiqen t'i heshtin zërat kritikë


Autoritetet në Turqi i kanë shkarkuar edhe 15 mijë persona të tjerë nga ushtria, policia dhe shërbimi civil, në kuadër të goditjes që po vazhdon, lidhur me përpjekjen për puç në muajin korrik të këtij viti.

Qeveria turke, po ashtu, i ka mbyllur afro 375 asociacione, përfshirë grupe udhëheqëse për të drejta të njeriut.

“Mbyllja e afro 400 OJQ-ve është pjesë e përpjekjes sistematike të autoriteteve të Turqisë që përgjithmonë t’i heshtin të gjithë zërat kritikë”, tha drejtori për Evropë i organizatës Amnesty International, John Dalhuisen.

Kjo organizatë ka thënë se në grupet e mbyllura janë përfshirë asociacionet që kanë punuar në parandalimin e torturës, grupet për të drejtat e grave, që kanë punuar kundër dhunës shtëpiake, dhe OJQ-të lokale që i kanë ndihmuar refugjatët.

Dhjetëra mijëra njerëz janë shkarkuar ose suspenduar nga punët qeveritare prej puçit të dështuar në muajin korrik, ndërsa më se 32 mijë njerëz janë arrestuar lidhur me këtë puç të dështuar.

Qeveria e Turqisë e akuzon klerikun, Fethullah Gulen, me seli në Shtetet e Bashkuara, për orkestrim të puçit.

Zoti Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi në këtë puç.

XS
SM
MD
LG