Ndërlidhjet

Ekipi i Hillary Clintonit merr pjesë në rinumërimin e votave


Pamje nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të mbajtura më 8 nëntor

Fushata e Hillary Clintonit tha se do të marrë pjesë në rinumërimin e votave në zgjedhjet presidenciale në shtetin amerikan, Viskonsin.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, që bëri bafasi duke fituar në zgjedhjet e 8 nëntorit, tha se rinumërimi është “mashtrim”.

Bordi zgjedhor në Viskonsin mbrëmë e ka miratuar kërkesën për rinumërim të kandidates së partisë së Gjelbër, Jill Stein, e cila ka cituar “anomali statistikore” në Viskonsin.

Ajo, po ashtu, kërkon rinumërim edhe në shtetet Miçigen dhe Pensilvani.

Në deklaratën e tij, zoti Trump tha se rinumërimi është “mashtrim nga Partia e Gjelbër për zgjedhjet, në të cilat është pranuar disfata”.

“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve duhet të respektohen e jo të sfidohen dhe abuzohen”, tha Trump.

Nga ana tjetër, Marc Elias, këshilltar i kandidates demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, tha se fushata nuk ka gjetur asnjë shenjë të sulmit kibernetik në sistemin votues, por do të marrë pjesë në rinumërim, “me qëllim që të ketë siguri se procesi vazhdon në mënyrë që është korrekte për të gjitha palët”.

Dallimi në vota tregon se është pothuajse e pamundshme që çfarëdo rinumërimi do t’i sillte zonjës Clinton fitore në të tri shtetet, që eventualisht do ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG