Ndërlidhjet

Kiev: Rusia ka deri në 7500 ushtarë brenda Ukrainës


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se Rusia ka nga 5 mijë deri në 7500 ushtarë brenda territorit ukrainas. Këto shifra nuk përfshijnë edhe gadishullin ukrainas të Krimesë që është aneksuar nga Moska.

Zëvendësministri i brendshëm ukrainas, Ihor Dolhov, iu ka thënë sot gazetarëve në Kiev se Rusia ka 23 mijë trupa në Krime, përfshirë edhe rreth 9 mijë ushtarë përgjatë kufirit administrativ në mes të Krimesë dhe pjesës tjetër të Ukrainës.

Krahas kësaj, ka thënë ai, Rusia ka rreth 55 mijë trupa të stacionuar shumë afër kufirit me Ukrainën.

Moska rregullisht e hedh poshtë akuzën se ka prani ushtarake brenda Ukrainës, me përjashtim të Krimesë të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Kievi dhe qeveritë perëndimore vlerësojnë se Moska është duke ofruar përkrahje ushtarake, ekonomike dhe politike për separatistët në Ukrainën lindore. Gjatë këtij muaji, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka marrë vendim përmes së cilës luftën në Ukrainën lindore e konsideron si “konflikt ndërkombëtar të armatosur” në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Konflikti në fjalë ka marrë jetën e 9600 personave prej se ka nisur në fillim të vitit 2014, të dhëna këto të OKB-së.

XS
SM
MD
LG