Ndërlidhjet

Indonezi: Dhjetëra persona të vdekur nga tërmeti i fuqishëm


Banorët janë tubuar afër një xhamie të dëmtuar nga tërmeti i sotëm në rajonin Aceh në Indonezi

Nga një tërmet nëndetar në provincën Aceh të ishullit Sunatra në Indonezi, janë vrarë së paku 97 vetë, ka thënë një komandant ushtarak.

“Numri i të vrarëve po rritet”, tha sot shefi ushtarak në Aceh, Tatang Sulaiman, derisa ka shqetësime se më tepër njerëz janë të bllokuar nën gërmadha.

Ky tërmet me intensitet 6.5 shkallë e ka goditur bregun verilindor të ishullit Sumatra, ndërsa janë shkatërruar dhjetëra ndërtesa.

Agjencia Kombëtare për Zbutjen e Katastrofave në Indonezi ka njoftuar se disa mijëra pjesëtarë të ekipeve të shëptimit janë dërguar në rajonin e goditur, përfshirë qindar ushtarë.

Kjo agjenci tha se nuk ka pasur rrezik nga cunami.

Në vitin 2004, cunami i shkaktuar nga një tërmet nëndetar, e kishte shkatërruar rajonin Aceh dhe kishte shkaktuar vdekjen e së paku 120 mijë njerëzve në disa shtete.

Indonezia është arkipelagu më i madh në botë dhe shpeshherë goditet nga tërmetet, pasi shtrihet në të ashtuquajturën Unazë të Zjarrit, në rajonin që kufizohet me Paqësorin.

XS
SM
MD
LG